William Walker Proposes Faton Bislimi for President of Kosovo
10:58 |
26 Gusht 2026
Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori në pension William G. Walker, u është drejtuar me një letër liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duke propozuar Faton “Tony” Bislimin si kandidat për President të Kosovës.Telegrafi ka siguruar letrën e ambasadorit Walker, në të cilën diplomati amerikan shpreh shqetësimin e tij për, siç e cilëson, bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.Letra u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me kërkesën që emri dhe kualifikimet e Bislimit të merren në konsideratë gjatë diskutimeve për presidentin.“Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, ashtu siç jam i bindur se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri”, thuhet në letrën e Walkerit.“Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë meritojnë të merren në konsideratë, por, sipas vlerësimit tim, asnjëri prej tyre nuk i përmbush në tërësi aftësitë, përvojën dhe profilin personal që kërkon posti i Presidentit. Prandaj, më lejoni të propozoj një emër.Për më shumë lexo letrën e plotë:Nga: Ambasadori (në pension) William G. WalkerLënda: Propozim për kandidaturë për President të KosovësSi mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, ashtu siç jam i bindur se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nuk besoj se zgjedhje të tjera do të sillnin qartësi apo zgjidhje për këtë situatë, e aq më pak ta rikthenin Kosovën në rrugën e një qeverisjeje efektive.Në mënyrë që institucioni i Presidencës ta ushtrojë me sukses rolin e tij, Kosovës i nevojitet një person me aftësi të veçanta dhe me përkushtim të fuqishëm për ta avancuar vendin drejt pozitës që i takon në botë.Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë meritojnë të merren në konsideratë, por, sipas vlerësimit tim, asnjëri prej tyre nuk i përmbush në tërësi aftësitë, përvojën dhe profilin personal që kërkon posti i Presidentit. Prandaj, më lejoni të propozoj një emër.Faton “Tony” Bislimin e njoh prej shumë vitesh. Kemi diskutuar shpesh për politikën e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për vendin e këtij shteti të ri në Evropë dhe në botë. Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e tij në mendim dhe për aftësinë e tij për t’i artikuluar dhe mbrojtur qartë qëndrimet e veta për çfarëdo çështjeje.Sipas mendimit tim, ndër emrat që mund të merren në konsideratë, Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme, si dhe profilin personal që kërkohet për të qenë një President i suksesshëm.Më lejoni t’i rendis disa prej cilësive që, sipas meje, janë thelbësore për ushtrimin me sukses të detyrës së Presidentit:1. Njohja e botës përtej KosovësFatoni ka jetuar, udhëtuar dhe studiuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Njohuritë dhe përvoja e tij ndërkombëtare janë të jashtëzakonshme.2. Formim i shkëlqyer akademikStudimet e Fatonit në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada kanë qenë të nivelit më të lartë. Po ashtu, aftësitë e tij si edukator dhe ligjërues janë dëshmuar gjerësisht.3. Aftësitë komunikuese.Fatoni zotëron në mënyrë të plotë shqipen dhe anglishten, ndërsa, me sa di, edhe frëngjishten.4. Njohje e thellë e procesit të shtetformimit të KosovësFatoni ka njohuri dhe kuptim të jashtëzakonshëm për rrugëtimin e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës së viteve ’90, si dhe për proceset komplekse dhe personalitetet që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Ai ka pasur gjithashtu kontakte personale me shumë prej akterëve të përfshirë.5. PersonalitetiFatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme sociale. Di të jetë i afërt dhe serioz kur situata e kërkon, por edhe të sjellë lehtësi dhe humor kur është e nevojshme. Janë të paktë ata që largohen nga një bisedë me Fatonin të zemëruar apo të pakënaqur, pavarësisht dallimeve në argumente apo pikëpamje. Pikërisht ky është lloji i personalitetit që kërkohet për një Presidencë të suksesshme.6. Kandidat i konsensusitKosova ka nevojë të madhe për një President që perceptohet si përfaqësues i vendit në tërësi, jo i një partie, i një individi apo i një qëndrimi të ngurtë politik për çdo çështje. Fatoni nuk përfaqëson interesa partiake. Ai përfaqëson bindjet e veta dhe përkushtimin për një Kosovë më të mirë.Me një fjalë, sipas mendimit tim, Fatoni i posedon të gjitha cilësitë e nevojshme për të qenë një President i suksesshëm i Kosovës.Kërkoj vetëm që emri dhe kualifikimet e tija të merren në konsideratë gjatë diskutimeve tuaja.Me respekt dhe me urimet më të mira,Amb. William G. WalkerShënim: Kjo letër u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në ndërkohë deri në publikimin e letrës nuk është konfirmuar nga LVV, PDK, LDK e AAK që e njëjta ka arritur në adresën e tyre.