Browse

Article • • 1 min read

Afati për Apelimin e Dënimeve ndaj Ish-Krerëve të UÇK-së në Hagë Po Afërm

Share Post

26 Nëntor 2026 15:08

Nesër, më 27 nëntor, përfundon afati për paraqitjen e njoftimeve për apelimin e aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Aktgjykimi i shkallës së parë ishte shpallur më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së tashmë kanë paralajmëruar se do t’i kundërshtojnë dënimet, të cilat i kanë cilësuar si të padrejta.

Mundësinë e apelimit të aktgjykimit e ka paralajmëruar edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, megjithatë ende nuk është bërë e ditur nëse ka paraqitur njoftim për apelim.

Çfarë pritet të ndodhë pas apelimit?

Në rast të apelimit, Paneli i Gjykatës së Apelit do të shqyrtojë pretendimet e palëve lidhur me gabimet e mundshme juridike, faktike dhe procedurale të aktgjykimit të shkallës së parë, pa e përsëritur domosdoshmërisht të gjithë procesin gjyqësor.

Nuk është përcaktuar një datë për përfundimin e procedurës në shkallën e dytë, ndërsa vlerësimet e njohësve të fushës sugjerojnë se procesi mund të zgjasë rreth një vit.

Nga protestat masive te nisma për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së në shtator kishte nxitur reagime të shumta dhe protesta masive në Kosovë, të shoqëruara me kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ndryshimet ligjore fillimisht ishin miratuar në Kuvend, por më pas ligji ishte kthyer për rishqyrtim me vendim të presidentes.

Ndërkohë, është paralajmëruar procedimi i një drafti të ri në Kuvend, ndërsa Bashkimi Evropian ka shprehur pritshmërinë që të konsultohet për çdo nismë që synon ndryshimin e këtij ligji.

Vëmendja tashmë është kthyer sërish nga Haga, ku skadimi i afatit për njoftimin e apelimit pritet të hapë një kapitull të ri në betejën juridike të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/