Milot–Balldren concession: €83.4 million for maintaining 17 kilometres of road
“Exclusive” nga Marinela Lina Një rrugë 17 kilometra e gjatë. Një tunel. Një kontratë koncesionare me vlerë rreth 365 milionë euro pa TVSH dhe një afat prej 35 vitesh.Ky është projekti Milot-Balldren, një nga investimet rrugore që ka hapur më shumë pikëpyetje për mënyrën se si planifikohen, prokurohen dhe financohen veprat publike në Shqipëri.Por përpara se kjo rrugë të mbërrinte te kontrata e re, pas saj qëndron një histori që nis vite më parë. Një projekt i prezantuar fillimisht me një tjetër skemë financimi, deklarata politike për ndryshimin e modelit, një procedurë tenderimi e anuluar dhe më pas, një garë e re që përfundoi me shpalljen e fituesit.Në qendër të kësaj historie qëndron Belinda Balluku, e cila gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri deklarata të rëndësishme për ecurinë dhe mënyrën e realizimit të projektit.Rruga Milot-Balldren është një nga projektet e infrastrukturës që ka kaluar disa faza brenda 8 vitesh, nga një koncesion i propozuar nga privati në vitin 2018 tek një kontratë e kontestuar për vlerën dhe kushtet financiare, zgjidhja e saj në vitin 2021 dhe rihapja e procedurës me një vlerë të parashikuar prej afro 365 milionë eurosh.Sot ndërsa koncesioni ka marrë një vlerë të përcaktuar prej 364 milionë e 732 mijë e 924 eurosh, pyetjet janë të shumta: Si arritëm deri këtu? Çfarë ndryshoi nga projekti fillestar? Pse u anulua gara e parë? Çfarë përfshihet në faturën prej 365 milionë eurosh? Dhe, mbi të gjitha, sa do t’i kushtojë kjo rrugë qytetarit shqiptar?Historia e Milot-Balldrenit nuk është vetëm historia e një rruge që pritet të ndërtohet. Është historia e një vendimmarrjeje publike, ku çdo ndryshim projekti, çdo procedurë dhe çdo euro duhet të shpjegohet me transparencë.NGA PROJEKTI I PARË TE KONCESIONI I RIPër të kuptuar se si mbërritëm te shifra prej 365 milionë eurosh duhet të kthehemi pas në kohë në vite në të cilat ka patur kundërshtime edhe nga vet presidenti i asaj periudhe.Në Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planin e Veprimit 2016-2020, projekti i bypass-it të Lezhës në aksin Milot-Balldren parashikohej me gjatësi rreth 4 kilometra dhe kosto 24 milionë euro. Më pas projekti u zgjerua në një segment rrugor prej rreth 17.3 kilometrash me ura rrugë lidhëse dhe tunel në malin e Rencit.Ishte muaji korrik i vitit 2018 kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi procedurën e parë për dhënien me partneritet publik-privat. Vlera e publikuar ishte 161.5 milionë euro ndërsa kohëzgjatja e kontratës ishte 13 vjet. Procedura u mbështet te një propozim i pa kërkuar nga kompania A.N.K., e cila kishte marrë një bonus prej 8.5% në vlerësim.Ndonëse fituese e bonusit nga qeveria dhe cuditërisht një ofertuese, A.N.K konkuronte e vetme. Dhe si e tillë rezultoi fituese edhe e kësaj procedure më 9 tetor 2018. Kështu projekti që në strategjinë e transportit ishte parashikuar si bypass prej 4 kilometrash, po kthehej në një koncesion shumë më të gjerë me një faturë të konsiderueshme për financat publike.Por një procedurë e tillë ngre pyetje për kushtet e garës, interesin e operatorëve të tjerë dhe mënyrën si u përcaktua vlera e projektit….Problemet me këtë projekt nisnin që në financim. A.N.K. nuk do ta financonte e vetme të gjithë rrugën. Plani mbështetej te kredia bankare, financimi nga furnitorët dhe kapitali i kompanisë, ndërsa rreth 72.2 milionë euro parashikoheshin nga buxheti i shtetit.Sipas bilancit të vitit 2017, A.N.K. kishte kapital rreth 3.2 milionë euro, ndërsa në skemën e financimit deklaronte kontribut prej 52 milionë eurosh. Kjo ngre një pyetje të rëndësishme, një ofertuese e vetme: me çfarë burimesh dhe garancish do të siguronte kapitalin e premtuar? Një procedurë e anashkaluar në atë kohë nga institucionet shtetërore përgjegjëse.Por mungesa e transparencës vijonte në këtë procedur teksa fillimisht projekti do të kushtonte 161.5 milionë euro për tu realizuar, por më pas kosto e tij u rrit në 256 milionë euro. Një rritje prej 60 përqind, ose 15 milionë euro për çdo kilometër.Pikërisht këto ndryshime u kthyen në një nga pikat kryesore të debatit për projektin. Më 18 korrik 2019, Kuvendi miratoi ligjin nr. 52/2019 për kontratën koncesionare. Por më 8 gusht, Presidenti i atëhershëm Ilir Meta e ktheu ligjin për rishqyrtim, duke ngritur pikëpyetje për rritjen e kostos, dokumentacionin financiar, ndryshimet në projekt dhe mënyrën si ishte zhvilluar konkurrimi. Vet Ministria e infrastrutkurës në 12 shtator 2019 doli në një reagim zyrtare në faqen e institucionit duke qartësuar se nuk ishte asnjë ndryshim në kontratën e parashikuar. MINISTRIA E INFRASTRUTKURËS DHE ENERGJISË“Ky informacion i përhapur është një spekullim dashakeqës, pasi drafti i Kontratës së Koncesionit që do të votohet sot në Kuvend është i njëjti me draftin që është përcjellë për mendim tek Ministria e Financave.Procesi i miratimit të një akti nënligjor, siç është VKM-ja për propozimin e projektligjit për miratimin e kontratës së Koncesionit/PPP kalon në sistemin elektronik e-akte, i cila pamundëson modifikimin e përmbajtjes së vetë aktit të propozuar nga Institucioni iniciues, që në këtë rast është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.”Pavarësisht procedurave të zhvilluara dhe miratimit të kontratës në Kuvend, projekti nuk kaloi në fazën e ndërtimit. Vetëm 2 muaj më pas vet Belinda Balluku kërkonte para shtesë për këto kontrata të partneritetit public privat për të cilat në buxhetin e 2020 ishin parashikuar 0 lekë.BELINDA BALLUKU“Ky buxhet kurrsesi nuk mund të quhet buxheti i infrastrukturës. MFE ka vendosur të zerojë fondin për këtë hekurudhë, duke hequr 100 milionë lekë investim i brendshëm dhe 200 milionë investim i jashtëm. Tashmë ky projekt nga buxheti i prerë i ministrisë së financave. MFE nuk mund të bëjë një buxhet të njëanshëm dhe pa marrë parasysh konsultimet.Nëse dokumentacioni nuk plotësohet nëse financimet bien ndesh me ligjin në fuqi është një projekt që do të anullohet.”Këtë kontratë koncensionare të cilës buxheti ju rishikua rrugës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e anulloi për shkak të mosplotësimit të kushteve paraprake dhe të detyrimeve për përmbylljen financiare.Por kjo nuk do të mbyllej këtu, as për financimin dhe as për një ofertë me vlerë më të ulët.Në 3 nëntor 2022, Balluku shpjegoi ndryshimin e modelit, duke folur për kalimin nga skema e partneritetit publik-privat me pagesa të disponueshmërisë, drejt një koncesioni ku investimi do të kryhej nga privati.BELINDA BALLUKU“Siç kemi zgjidhur problematikën e lotëve të tjera, edhe Milot-Balldren nga një kontratë PPP do të kalojë në një kontratë koncesionare, që do i hapet gara në fillim të vitit 2023.”Pas anulimit të parë dhe një periudhe covidi ku cdo buxhet u shkurtua Ministria e Infrastrutkurës vjen me procedurë të re për Milot-Balldrenin. 2 fish më të lartë në vlerë.Në 19 dhjetor 2024 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi një procedurë të re koncesionare për segmentin Milot-Balldren. Këtë herë, vlera e parashikuar ishte 364,7 mln euro pa TVSH ndërsa kohëzgjatja e koncesionit ishte 35 vjet. Vlera përfshinte disa zëra të ndryshëm: rreth 182.5 milionë euro për ndërtimin dhe rehabilitimin, rreth 85 milionë euro për operimin, rreth 83.4 milionë euro për mirëmbajtjen rutinë dhe kapitale, rreth 10.1 milionë euro për sistemin e pagesave dhe rreth 3.65 milionë euro për projektimin. Këto shifra tregojnë se vlera e përgjithshme e koncesionit nuk përfaqëson vetëm koston e ndërtimit të rrugës, por edhe shpenzimet e parashikuara përgjatë periudhës së kontratës. Në garën e re u paraqitën katër oferta nga operatorë ekonomikë që synonin të fitonin të drejtën për realizimin e projektit.Por, pas shqyrtimit të ofertave, gara nuk arriti në shpalljen e një fituesi. Më 19 qershor 2025, ofertuesit u njoftuan për skualifikimin ndërsa procedura u anulua zyrtarisht më pas.MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, 4 GUSHT 2025“Asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushin kërkesat e ftesës për procedurën konkuruese, pra nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme.”Kështu, pas disa vitesh diskutimesh dhe përpjekjesh për realizimin e projektit, edhe gara e rihapur në fund të vitit 2024 përfundoi pa një kontratë të lidhur me një fitues në 2025.Por historia nuk mbaroi me anulimin. Më 11 gusht 2025, vetëm pak ditë pas publikimit të anulimit, u hap një procedurë e re për Milot-Balldren. Këtë herë e treta e vërteta. Dhe pothuajse 1 vit më pas më 5 qershor 2026 pa asnjë detaj sesi u zhvillua gara, u njoftua fituesi i procedurës së re për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren.Fitues u shpall bashkimi i përkohshëm i kompanive SALILLARI, ALB TIEFBAU, InfraKonsult dhe ERALD-G, me 93 pikë.Vlera e parashikuar e koncesionit është 364 milionë e 732 mijë e 924 euro, pa TVSH, ndërsa periudha e kontratës është 35 vjet. Kjo është shifra që e vendos projektin në qendër të debatit për koston e investimeve publike dhe për mënyrën se si duhet të llogaritet barra financiare e një koncesioni afatgjatë.Por çfarë përfshin konkretisht kjo shumë?E përkthyer në kilometra, fatura shkon në rreth 21.5 milionë euro për kilometër. Por jo e gjithë shuma është kosto ndërtimi. Sipas dokumenteve të prokurimit, rreth 182.5 milionë euro parashikohen për ndërtimin dhe rehabilitimin ndërsa pjesa tjetër për projektimin, sistemin e pagesës, operimin dhe mirëmbajtjen gjatë 35 viteve.Në një analizë që Top Channel ka kryer rezulton se vetëm për mirëmbajtjen për 17 kilometra do të paguhet një vlerë prej 83.4 milionë euro. Por kjo vlerë rezulton më e lartë se kostot e kontratave të zakonshme të ministrisë së infrastrukturës. Në një mesatare vlera për 17 kilometër e mirëmbajtjes së projekteve të realizuara më parë varion nga 5-5.4 mln euro. Duke bërë që fatura e mirëmbajtjes e Milot Balldre të jetë shumë më shtrenjtë.Ekspertët ngrenë shqetësimin në këtë pjesë ku sipas të cilëve këtu qëndron problemi faturave të përllogaritura të koncensionit të cilët thonë se janë kostot ato që duhet të zbardhen për të kuptuar nëse vlerë është ndërtuar mbi nevoja dhe përllogaritje reale.“Mënyra se si manipulohen janë të ndryshme, por kryesorja është përmes caktimit të kritereve të pjesëmarrësve në mënyrë selective. Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka levizur nga vendi që ka pasur si të thuash korrupsion, te vendi që ka pasur korrupsion sistemik. Dhe Shqipëria sot, të paktën për sa i përket prokurimeve publike, nuk është më një ekonomi tregu, në kuptimin që nuk mund të konkurrosh në sektorin e tenderave dhe të fitosh. Domethënë, çdo prokurim publik duket se është i manipuluar që në themel.” Por pikëpyetjet shkojnë më tej se fatura e mirëmbajtjes dhe operimit. Gara e dytë e këtij koncensioni përfundoi me tre oferta me të njëjtën vlerë 364.7 milionë euro. Dy u skualifikuan dhe fituesi mori 93 pikë. Nëse çmimi ishte i njëjtë, cilat ishin kriteret që bënë diferencën?Ekspertët ngren pikërisht problemin e kritereve që mund të kufizojnë konkurrencën dhe të ndikojnë në përcaktimin e fituesit.GJERGJ EREBARA, EKSPERT EKONOMIE“Shqipëria nuk është më një ekonomi tregu. Mungesa e pjesëmarrësve të huaj në koncesione, në garat për koncesione të mëdha. Mungesa e kontraktorëve të huaj. Po të mbani mend, në kohët e vjetra vinin kompani austriake dhe konkuronin në Shqipëri për ndërtimin e rrugëve. Tani ke faktin që nuk ke absolutisht asnjë kompani të huaj. Për dekada… për një dekadë të tërë. Që të vijë në Shqipëri të fitojë tenderin e ndërtimit të rrugës… Kjo të tregon domethënë që nuk je më ekonomi tregu.”Ndërkohë jo të gjitha detajet e marrëveshjes janë bërë publike. Në regjistrin e prokurimeve rezultojnë konsorciumi fitues dhe vlera e parashikuar prej afro 365 milionë eurosh, por mungojnë ende të dhëna të rëndësishme të kontratës, përfshirë vlerën përfundimtare të kontraktuar, ndarjen e pjesëmarrjes mes katër kompanive dhe planin financiar të ofertës fituese.Top Channel iu drejtua zyrtarisht Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave, përmes kërkesave për informacion të datës 19 shtator 2026, duke kërkuar dokumentacionin mbi procedurën e koncesionit Milot-Balldren. Ku ju kërkuan kriteret e procedurës së anuluar dhe asaj të rihapur, rezultatet e vlerësimit të ofertave, tabelat e pikëzimit, si dhe metodologjia financiare mbi të cilën është përcaktuar vlera prej rreth 365 milionë eurosh. Gjithashtu dhe dokumentacioni mbi studimin e fizibilitetit, qëndrueshmërinë financiare të projektit, rreziqet fiskale dhe detyrimet e mundshme për buxhetin e shtetit, si dhe çdo ndryshim të modelit financiar mes dy procedurave.Deri në momentin e përgatitjes së këtij materiali, institucionet nuk i kanë kthyer përgjigje kërkesave të Top Channel ndonëse afatete e tyre janë tejkaluar.Por pikëpyetjet mbi koncesionin e florinjtë, nuk lidhen vetëm me vlerën financiare të projektit dhe mënyrën se si u përzgjodh fituesi. Një tjetër aspekt që kërkon vëmendje është profili i kompanive që do të marrin përsipër ndërtimin e këtij aksi rrugor, si dhe historiku i personave që qëndrojnë pas tyre. Mes emrave ka edhe persona që kanë përfunduar në dosjet e SPAK.Fitues i garës së shpallur nga Ministria e Infrastrukturës është konsorciumi i kompanive “Salillari”, “ALB TIEFBAU” i Flamur Hoxhës, “InfraKonsult” e Redi Strugës dhe “ERALD-G” e Gëzim Ismailit.“ERALD-G” është në pronësi të Gëzim Ismailit, emri i të cilit është përmendur në hetimet për dosjen e njohur si “Grupi i Arubës”. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar publikisht se Ismaili është përfshirë në hetimet që lidhen me dyshime për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Në qershor 2026 u raportua edhe për masa sigurie të vendosura në kuadër të kësaj dosjeje.Bëhet fjalë për hetime në zhvillim dhe jo për një konstatim fajësie. Por nuk është i vetmi emër.Edhe Redi Struga i “InfraKonsult” është përfshirë në veprimet hetimore të SPAK. Në qershor, Prokuroria e Posaçme urdhëroi kontrolle në kuadër të hetimeve për dyshime mbi tjetërsimin e pronave në Zvërnec.Pra, dy prej kompanive të konsorciumit që do të ndërtojë dhe operojë Milot-Balldrenin lidhen me persona të përfshirë në çështje që ndodhen aktualisht nën hetim.Milot-Balldren është ndërkohë një projekt që vjen me precedent.Në vitin 2018, koncesioni iu dha A.N.K., por kontrata u zgjidh më pas për mosplotësim të kushteve të financimit. Auditimet e KLSH-së për procedurën e parë evidentuan problematika në dokumentacionin financiar, përfshirë mospërputhje në shumat dhe afatet e financimit të deklaruara.Tetë vite më vonë, Milot-Balldren rikthehet për herë të dytë. Dhe këtë herë, dy prej emrave të lidhur me kompanitë fituese janë njëkohësisht në vëmendjen e SPAK.Një rrugë e re mund të shkurtojë distancat, të lehtësojë transportin dhe të përmirësojë lidhjen mes zonave. Por kur infrastruktura ndërtohet përmes një koncesioni me pagesë, përfitimi duhet parë bashkë me koston.Për qytetarët, pyetja nuk është vetëm se kur do të përfundojë rruga. Është edhe se sa do të kushtojë përdorimi i saj dhe si do të ndikojë në shpenzimet e përditshme.Ndonëse tarifa reale duhet verifikuar në kontratën përfundimtare dhe në kushtet e zbatimit të saj është parashikuar një tarifë referuese prej 0,12 eurosh për kilometër. Për një segment prej 17 kilometrash, kjo përkthehet në rreth 2,04 euro për një kalim në një drejtim.“Për të ardhur deri këtu, në Thumanë–Kashar, një drejtues automjeti, përveç kostove të transportit, duhet të paguajë edhe 2,5 euro për një kalim. Por kjo nuk është fatura e vetme për udhëtimin drejt veriut, pasi një tjetër aks do të nisë me pagesë. Ai është Milot-Balldreni, i cili do të kushtojë rreth 2 euro.”Megjithatë, edhe kjo përllogaritje tregon se pagesa mund të përbëjë një shpenzim të rëndësishëm për ata që udhëtojnë rregullisht. Por për një person që e përdor këtë rrugë çdo ditë pune, me një udhëtim vajtje-ardhje për 20 ditë në muaj, kostoja do të arrinte në rreth 81,60 euro në muaj.Leon Ndreca banor I zonës së Milotit tregon se kosto të tilla të rrugve që tashmë po kthehen me pagesë do ti rëndojë shumë sidomos ata që do duhet ti përdorin këto rrugë për punë.Reagimet tregojnë se qytetarët e shohin rrugën nga këndvështrime të ndryshme. Disa e konsiderojnë pagesën një kosto që mund të përballohet nëse rruga ofron shërbim dhe kursen kohë. Të tjerë shqetësohen për ndikimin që do të ketë tarifa në buxhetin familjar.“Pas 17 kilometrash autostradë, këtu në Balldren do të përfundojë aksi Milot-Balldren, i cili do të realizohet përmes një koncesioni me vlerë rreth 365 milionë euro dhe me një afat kontraktor prej 35 vitesh.Por pyetja që mbetet është nëse kjo faturë, të cilën qytetarët mund ta paguajnë përmes taksave dhe tarifës së kalimit, do t’u shoqërohet me një rrugë që i arsyeton kostot.”Milot-Balldreni është më shumë se një projekt infrastrukture. Është një provë për mënyrën se si planifikohen investimet publike, si zhvillohen garat, si shpjegohen kostot dhe si mbrohet interesi i qytetarëve.Nga modeli fillestar te koncesioni i ri, nga deklaratat e Belinda Ballukut te anulimi i garës dhe shpallja e fituesit, çdo etapë e kësaj historie kërkon të shihet përmes dokumenteve dhe përgjegjësive konkrete. Shifra prej 365 milionë eurosh është tashmë në dokumentet e projektit. Por ajo që duhet të jetë po aq e qartë është se çfarë merr publiku në këmbim të kësaj shume.Dhe derisa këto pyetje të marrin përgjigje të plota, Milot-Balldreni mbetet një projekt që nuk kërkon vetëm ndërtim, por edhe llogaridhënie.
Top Channel