Browse

Article • • 1 min read

Buxheti i Mbrojtjes së Kosovës Trefishohet me Investim prej 500 Milionë Euro në Armatim

Share Post

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci me rastin e Ditës së Forcës, ka bërë të ditur se gjatë periudhës 2021–2026 buxheti i mbrojtjes është trefishuar, ndërsa në armatim janë investuar rreth 500 milionë euro. Ai ka theksuar se gjatë këtyre viteve janë rekrutuar 3,220 ushtarakë të rinj dhe janë trajnuar mijëra ushtarakë në akademitë e vendeve aleate.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka uruar Ditën e Forcës – Ditën e Ushtrisë së Kosovës, duke renditur zhvillimet dhe investimet në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se janë bërë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të një ushtrie moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me NATO-n.

Sipas tij, FSK-ja sot disponon mbi 40 lloje sistemesh armatimi, përfshirë sistemet raketore kundërtanke Javelin dhe OMTAS, artilerinë HAWKEYE, dronët Bayraktar dhe PUMA, si dhe mijëra dronë Skydagger.

Ministri ka bërë të ditur se janë fuqizuar edhe kapacitetet logjistike me 35 kamionë ushtarakë Rheinmetall dhe UNIMOG – Mercedes-Benz, ndërsa dhjetëra të tjerë pritet të pranohen gjatë vitit 2027.

Maqedonci ka njoftuar gjithashtu se janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, përmes ndërtimit të fabrikës së parë të municioneve dhe zhvillimit të mjeteve ushtarake ajrore e tokësore pa pilot.

Në postimin e tij, ai ka theksuar edhe thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e NATO-s, duke shtuar se Kosova po përgatitet të kontribuojë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes angazhimit të ushtrisë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Ministri ka theksuar se investimet në armatim, teknologji, infrastrukturë dhe personel do të vazhdojnë, duke vlerësuar se fuqia e ushtrisë nuk matet vetëm me pajisjet që posedon, por edhe me profesionalizmin, guximin dhe besnikërinë e pjesëtarëve të saj.

Në fund, ai ka uruar të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët, pjesëtarët aktivë, rezervë dhe ata në pension, për Ditën e Forcës, duke shprehur mirënjohje dhe respekt për shërbimin e tyre ndaj atdheut.

“Dita e Forcës është ditë krenarie për shtetin tonë, për ushtrinë tonë dhe për secilin prej jush që, me uniformën e shenjtë, i shërben atdheut me nder, përkushtim dhe profesionalizëm”, ka shkruar Maqedonci./ Arbresh.info