Browse

Article • • 1 min read

Ardian Gjini Kritikon Përçarjet Politike dhe Thërret për Vizion të Bashkuar

Share Post

27 Nëntor 2026 17:32

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar qasjen e pushtetit, duke thënë se narracioni politik i ndërtuar ndër vite ka nxitur përçarje në shoqëri dhe ka vendosur grupe të ndryshme kundër njëra-tjetrës.

Gjatë një takimi me qytetarë në Prizren, Gjini iu referua shprehjes “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, të cilën e modifikoi duke shtuar: “Nga shkon Lumezi, vjen Elezi, erdhi Bylmezi”.

Ai tha se nuk mund të ketë qeverisje që synon ta përmirësojë gjendjen në vend, ndërkohë që pozicionohet kundër bizneseve, prokurorëve, gjyqtarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mediave dhe opozitës.

“Nuk mundet me pas pushtet i cili do me e ndreqë Kosovën, po kundër bizneseve. Që do me e rregullu sundimin e ligjit, po kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Që do me i ndreqë marrëdhëniet ndërkombëtare, po kundër Amerikës. Që do me e rregullu demokracinë, po kundër mediave. Që do me e luftu korrupsionin, po kundër opozitës, jo kundër hajnave të vet”, ka deklaruar Gjini.

Sipas tij, problemi qëndron te mënyra se si ndërtohet motivimi politik dhe narracioni publik, duke u mbështetur në kundërshtimin e individëve apo grupeve të caktuara, në vend të promovimit të një vizioni të përbashkët për vendin.

Gjini ka kritikuar edhe ndarjet që, sipas tij, po nxiten në shoqëri, duke përmendur raportet mes diasporës dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë, dallimet mes banorëve të qyteteve dhe fshatrave, si dhe përçarjet brenda vetë shoqërisë.

“Nuk guxojmë me i dhënë këto mesazhe si start. Pushteti nuk mundet me qenë veç kundër diçkaje ose kundër dikujt. Duhet me qenë për diçka”, ka përfunduar ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/