Browse

Article • • 1 min read

Ministri Sveçla Thekson Fuqizimin e Sigurisë në Kosovë përmes Luftimit të Krimit të Organizuar

Share Post

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë qeverisjes Kurti 2 është fuqizuar siguria në vend përmes luftimit të krimit të organizuar, goditjes së grupeve kriminale dhe intensifikimit të luftës kundër trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.

Sveçla, përmes një deklarate, ka theksuar se krahas këtyre angazhimeve është avancuar edhe shtrirja e sovranitetit dhe prania institucionale në veri të vendit, duke luftuar strukturat ilegale dhe krijuar kushte për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas tij, këto rezultate janë reflektuar edhe në vlerësimet ndërkombëtare, ku Kosova është renditur ndër vendet me nivelin më të lartë të sigurisë publike dhe besimit të qytetarëve në institucionet e rendit dhe ligjit.

“Përparimi në këtë fushë e ka forcuar pozitën e Kosovës si faktor i sigurisë dhe stabilitetit rajonal e evropian”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka falënderuar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj për arritjet e përbashkëta, duke theksuar se puna në këtë drejtim do të vazhdojë me përkushtim.

“Na presin edhe shumë punë të cilat do ti vazhdojmë me përkushtim, në shërbim të qytetarëve, sigurisë së qytetarëve tanë dhe Republikës sonë”, ka përfunduar Sveçla./Arbresh.info