Kurti dhe GERMIN diskutojnë për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim anëtarët e Bordit të organizatës joqeveritare GERMIN, Anila Hyka, Avni Mustafaj dhe Yll Zagragja, si dhe bashkëdrejtorët ekzekutivë Lirim Krasniqi dhe Sihana Bejtullahu.
Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për rolin e mërgatës dhe angazhimin për rritjen e ndërveprimit me bashkatdhetarët, si dhe për mundësitë e përfshirjes së tyre në jetën publike, institucionale dhe shoqërore në Kosovë.
Një tjetër temë e diskutimit ishte rëndësia e mësimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe në mërgatë, si dhe mbështetja e nismave që synojnë përcjelljen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Programit OriginAL, edicionit të pestë të konferencës “Diaspora Flet” dhe nismës “Shtëpia e Diasporës”./Arbresh.info