Kosova Forcon Përpjekjet Ndërkombëtare për Dokumentimin e Krimeve të Luftës
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Përmes këtij memorandumi synohet prezantimi ndërkombëtar i dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
Sipas njoftimit, Ministria dhe Instituti do të bashkërendojnë angazhimet për ndërkombëtarizimin e hulumtimeve, dëshmive dhe publikimeve mbi krimet e luftës.
Në këtë drejtim, rrjeti diplomatik dhe konsullor i Kosovës do të mbështesë prezantimin e këtyre materialeve në arenën ndërkombëtare, organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet relevante ndërkombëtare.
Në njoftim thuhet se ky bashkëpunim synon të forcojë diplomacinë publike të Kosovës në përballjen me përpjekjet për mohimin dhe relativizimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ritheksuar përkushtimin për ndërkombëtarizimin e së vërtetës historike për luftën në Kosovë dhe për mbrojtjen e drejtësisë e dinjitetit të viktimave./Arbresh.info