Browse

Article • • 1 min read

Ministri i Financave dorëzon kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës për keqpërdorim të dyshuar të 2.2 milionë eurove

Share Post

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se sot është dorëzuar kallëzim penal në Prokurori ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe bashkëpunëtorëve të tij në Komunën e Prishtinës.

Përmes një postimi, Murati ka pretenduar se kallëzimi lidhet me keqpërdorimin e rreth 2.2 milionë eurove nga mjetet buxhetore, bazuar edhe në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas tij, veprimet e dyshuara përfshijnë keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumentit zyrtar, mashtrim dhe përdorim të paautorizuar të pasurisë.

“Ministria e Financave kishte nënshkruar marrëveshje financiare me BERZH-in për kredi në vlerë 5 milionë euro, dhe këto mjete i ishin vënë në dispozicion Komunës së Prishtinës për investime në renovim dhe ngrohje të shkollave, çerdheve, dhe institucioneve tjera publike. Në vend se të kryenin investimet e parapara, zyrtarët përgjegjës nga Komuna e Prishtinës kanë keqpërdorur rreth 44% të mjeteve të vëna në dispozicion duke kryer pagesa për fatura që nuk kishin fare të bënin me projektin sipas marrëveshjes”, ka shkruar Murati.

“Shuma prej 2.2 milione eurove është ekzekutuar nëpërmjet 21 transaksioneve në kohë të ndryshme, pra nuk bëhet fjalë për ndonjë lëshim teknik apo gabim procedural, por me skemë keqpërdorimi të paramenduar. Disa prej projekteve në emër të të cilave janë bërë pagesa, as që kanë ekzistuar në buxhet. Keqpërdorimi i 2.2 milionë eurove dhe fakti që kjo është bërë me paramendim në 21 transaksione të ndryshme, len të kuptohet që personat e përfshirë kanë qenë të bindur se janë të paprekshëm nga ligji. Ftoj prokurorinë që të veprojë shpejt e pa hezitim, sepse për çdo ditë që kalon, rritet rreziku që personat e dyshuar të vazhdojnë keqpërdorimet”, tha Murati./Arbresh.info