Qeveria e Kosovës kritikon transparencën e Gjykatës së Hagës në aktgjykimin ndaj Thaçit
Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara në Hagë, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në një deklaratë, Qeveria ka theksuar se pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit, por kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Qeveria ka bërë të ditur se kritikat dhe rezervat e saj ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve për një gjykim të drejtë.
Në deklaratë thuhet se besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato.
“Drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Republikës së Kosovës./Arbresh.info