Arrestohen të dyshuarit për grabitjen e armatosur në Gjakovë, konfiskohen armët dhe paratë
Dy persona të dyshuar për grabitjen e armatosur të ndodhur të hënën në mesditë në Gjakovë janë arrestuar, ndërsa gjatë aksionit janë sekuestruar edhe armët e përdorura në ngjarje dhe një sasi e konsiderueshme parash.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili përmes një njoftimi ka vlerësuar punën e institucioneve të sigurisë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Sipas Sveçlës, dy të dyshuarit janë identifikuar mbrëmjen e së hënës, falë hetimeve intensive dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorisë, ndërsa janë arrestuar gjatë ditës së sotme.
Grabitja e armatosur kishte ndodhur të hënën në mesditë në Gjakovë, ku si pasojë ishte plagosur një qytetar, ndërsa ishte rrezikuar edhe siguria e personave të tjerë.
Sveçla ka thënë se ky aksion dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e institucioneve të sigurisë, duke paralajmëruar se të gjithë ata që kryejnë vepra kriminale do të përballen me drejtësinë.
“Askush që kryen vepra kriminale nuk mund t’i shmanget drejtësisë. Çdo kryes do të identifikohet dhe do të japë përgjegjësi para organeve të drejtësisë”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka theksuar se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve mbeten prioritete të panegociueshme./Arbresh.info