Rastet e humbura të Kosovës lënë pjesën e parë ndaj Izraelit 0-0
Kombëtarja e Kosovës ka përfunduar me rezultat të barabartë 0-0 pjesën e parë të ndeshjes ndaj Izraelit, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Dardanët e nisën sfidën në mënyrë mjaft agresive, duke marrë iniciativën që në minutat e para dhe duke krijuar disa mundësi të mira për të kaluar në epërsi.
Fillimisht, Kreshnik Hajrizi rrezikoi në minutën e tretë, por goditja e tij përfundoi mbi portë. Katër minuta më vonë, Edon Zhegrova provoi me një goditje të fuqishme, e cila kaloi fare pranë shtyllës.
Presioni i Kosovës vazhdoi edhe në minutën e 17-të, kur Milot Rashica tentoi të shënonte, por portieri i Izraelit reagoi mirë.
Izraeli u kundërpërgjigj në minutën e 24-t, por Amir Saipi ishte në vendin e duhur për të evituar rrezikun.
Rasti më i mirë për Dardanët erdhi në minutën e 41-të. Lindrit Kamberi goditi me kokë pas një aksioni të Kosovës, por topi u përplas në traversë, duke ia mohuar ekipit të Franco Fodës golin e epërsisë.
Kështu, 45 minutat e para përfunduan me rrjeta të paprekura, 0-0, pavarësisht iniciativës dhe rasteve të shumta të krijuara nga Kosova./Arbresh.info