Browse

Article • • 1 min read

Kosova Vazhdojnë Pa Status Kandidati për BE pavarësisht Përparimit

Share Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA) në Dublin të Irlandës, ku ka folur për rrugëtimin e Kosovës nga shpallja e pavarësisë deri te synimi për integrim në Bashkimin Evropian.

Në aktivitetin me temën “Rrugëtimi i Kosovës: Nga shtetësia drejt integrimit evropian”, Kurti është ndalur te zhvillimet politike, ekonomike dhe demokratike në Kosovë, duke theksuar se vendi ka shënuar përparim të rëndësishëm që nga shpallja e pavarësisë.

Para adresimit, kryeministri është pritur në takim nga drejtori i përgjithshëm i IIEA-së, Mark Redmond.

Në fjalën e tij, Kurti ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, duke përmendur lidhjet historike, identitetin kombëtar dhe rolin e diasporës në të dy vendet. Ai ka kujtuar gjithashtu se Nënë Tereza, e lindur Gonxhe Bojaxhiu nga prindër shqiptarë me origjinë nga Prizreni dhe Gjakova, kishte udhëtuar në Dublin në vitin 1928, në moshën 18-vjeçare, për t’iu bashkuar Motrave të Loretos.

Duke folur për historinë e Kosovës, Kurti ka përmendur represionin dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve, luftën çlirimtare dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

Ai ka theksuar se Kosova ia detyron lirinë dhe pavarësinë qëndresës së popullit të saj dhe solidaritetit të shteteve demokratike. Në këtë kontekst, ka shprehur mirënjohje për Irlandën, e cila e njohu pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008.

Kryeministri ka folur edhe për zhvillimin demokratik të vendit, duke përmendur zgjedhjet konkurruese, ekonominë e hapur të tregut, shoqërinë civile dhe lirinë e shprehjes.

Sipas tij, përparimi i Kosovës reflektohet edhe në vlerësimet e organizatave ndërkombëtare. Kurti ka përmendur ngritjen e Kosovës në renditjen e Transparency International për luftimin e korrupsionit, vlerësimin e World Justice Project për sundimin e ligjit dhe përmirësimin e pozitës në indeksin e lirisë së medias të Reporterëve pa Kufij.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, ai ka deklaruar se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje mesatare vjetore prej më shumë se katër për qind gjatë kësaj dekade, pavarësisht pandemisë, krizës energjetike dhe inflacionit.

Kurti ka përmendur edhe disa nga masat sociale të ndërmarra nga Qeveria, përfshirë shtesat për fëmijë, mbështetjen për nënat e reja, rritjen e pensioneve dhe pagës minimale, si dhe mbështetjen për fermerët dhe bizneset e reja.

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia ka kushtuar integrimit evropian, duke theksuar se Kosova dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Megjithatë, ai ka shprehur pakënaqësi për faktin se Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kurti ka rikujtuar se Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim më 15 dhjetor 2022, gjatë presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, por ende nuk ka marrë përgjigje për avancimin e procesit.

Ai ka kërkuar që aplikimi i Kosovës të shqyrtohet dhe të nisin negociatat për anëtarësim, duke theksuar se vendi nuk kërkon trajtim të veçantë, por barazi në procesin e integrimit.

“Ne kurrë nuk kemi kërkuar trajtim të veçantë, vetëm trajtim të barabartë”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka folur edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, përfshirë ato për lëvizjen e lirë me letërnjoftime dhe njohjen e kualifikimeve arsimore e profesionale.

Në fjalimin e tij, Kurti është ndalur edhe te çështjet e sigurisë, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, si dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Varagë të Zubin Potokut, më 29 nëntor 2024.

Ai ka thënë se këto ngjarje dëshmojnë se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke kërkuar përgjegjësi për autorët e sulmeve.

Në përmbyllje të fjalimit, Kurti ka theksuar se Kosova është e përkushtuar të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian dhe ka kërkuar mbështetjen e Irlandës në këtë proces.

Ai ka përmendur edhe lidhjen sportive ndërmjet dy vendeve përmes futbollit, duke iu referuar ndeshjeve të kombëtareve të Kosovës dhe Irlandës.

“Ka një organizatë evropiane ku ne tashmë takohemi si të barabartë: UEFA”, ka thënë Kurti, duke e përmbyllur fjalimin me një urim për ndeshjen mes dy kombëtareve./Arbresh.info