Ministri Dimal Basha kërkon nga BE-ja të kërkojë falje dhe të korrigjojë Raportin e Progresit për Kosovën
Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha ka pasur disa vërejtje për Raportin e Progresit, të cilin Komisioni Evropian e publikoi para pak ditësh e ku evidentoheshin disa ngecje për Kosovën.
Basha në një fjalim në Kuvendin e Kosovës kritikoi pjesën ku thuhet se “veriu është i brishtë”, duke u shprehur se BE-ja “do të duhej t’i gëzohej përmirësimit” atje.
“Dua t’i theksoj disa vërejtje për përmbajtjen e këtij raporti, vërejtjen për BE-në në këtë rast. Te pjesa ku flet për veriun është absolutiisht e padrejtë, thënë së buti. Raporti thotë se gjatë periudhës raporutese situata në veri është e qetë, por e brishtë. Veriu, kurrë nuk ka qenë më i sigurtë. Është po aq i sigurt sa në jug. Këtë s’e thotë raporti, është me u habitë, BE-ja ish dashtë me ju gëzu përmirësimit të gjendjes në atë pjesë të vendit”, u shpreh ai.
Tutje, Basha kërkoi nga BE-ja që të kërkojë falje dhe ta korrigjojë raportin.
“Pastaj, raporti thotë se Kosova ka ndërmarr vazhdimisht veprime në kundërshtim me dialogun, ose vperime që kanë cenuar procesin e normalizimit. Si shembuj, përmenden aksionet policore ndaj strukturave të mbështetura nga Serbia dhe arrestimet. Policia jonë nuk ka arrestu njerëz për shkak të përkatësisë etnike, por për shkelje ligore. Është shqetësuese. BE-ja e di saktësisht arsyet e arrestimeve, ish dashtë me kërku falje, dhe me korrigju këtë raport.
Pse kërkohet trajtim i veçantë për gjyqtarët dhe prokurorët serbë, nuk kërkohet për komunitetet tjera kjo. Barazia para ligjit nuk mund të vlejë për disa”, tha ai