Kurti i bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen të dielën, më 8 nëntor.
Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve të Luginës, Kurti ka theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për përfaqësimin politik dhe avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në Serbi.
Sipas tij, 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë vote, ndërsa në garë janë katër lista zgjedhore me gjithsej 107 kandidatë, të cilët synojnë të fitojnë 29 ulëset në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
“Pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, falë rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022. Një rikthim i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre kolektive. Këshilli Kombëtar Shqiptar ka autorizime publike në arsim, kulturë, informim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës e shkrimit shqip. Nga shkolla shqipe e tekstet mësimore, te institucionet kulturore, mediat në gjuhën shqipe dhe ruajtja e identitetit kombëtar. Pavarësisht pengesave nga institucionet e shtetit serb, pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe nënpërfaqësimit institucional, shqiptarët vazhdojnë të këmbëngulin për të drejtat e tyre dhe për të ardhmen në vendlindje”, shkroi Kurti.
Në fund, Kurti i ka ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të votojnë lirshëm, sipas bindjeve të tyre.
“Për të drejta të barabarta dhe për të ardhmen në vendlindje”, ka përfunduar mesazhin e tij Kurti./Arbresh.info