Browse

Article • • 1 min read

Ministri i Jashtëm zviceran viziton Kosovën: Në fokus integrimi evropian dhe investimet

Share Post

Konjufca takon homologun zviceran, diskutojnë integrimin evropian dhe rritjen e investimeve në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis.

Përmes një postimi, Konjufca ka bërë të ditur se e ka falënderuar homologun zviceran për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës, si dhe për solidaritetin dhe mundësitë që ky shtet u ka ofruar bashkatdhetarëve shqiptarë ndër vite.

Ai ka theksuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës janë ndërtuar përgjatë dekadave, duke veçuar mbështetjen që shqiptarët kanë gjetur në Zvicër gjatë periudhave më të vështira, përfshirë vitet e shtypjes në ish-Jugosllavi dhe gjatë regjimit të Millosheviqit.

Sipas Konjufcës, diaspora shqiptare ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë zvicerane, ndërsa njëkohësisht ka qenë një prej shtyllave të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të Kosovës.

Gjatë takimit, dy ministrat kanë diskutuar për integrimin evropian të Kosovës dhe mbështetjen që Zvicra i ka dhënë këtij synimi strategjik. Po ashtu, në fokus kanë qenë thellimi i marrëdhënieve ekonomike dhe mundësitë për rritjen e investimeve zvicerane në Kosovë.

Pas takimit, Konjufca dhe Cassis kanë marrë pjesë në përurimin e objektit të ri të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.

Konjufca e ka vlerësuar këtë investim si dëshmi të përkushtimit afatgjatë të Zvicrës ndaj Kosovës dhe të besimit të ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve./Arbresh.info