Biseda Tronditëse Zbulon Instruksionet e Policisë për Arlinda Zekajn Para Vrasjes së Saj
Një bisedë tronditëse mes Arlinda Zekajt dhe një zyrtari policor zbulon momentet kur ajo kërkonte të dinte nëse duhej të kthehej në shtëpi.
Përgjigjja e policit ishte pohuese, ndonëse ai ia konfirmonte se personat për të cilët ajo pyeste do të ndodheshin aty.
Kjo bisedë, e zhvilluar para vrasjes së saj, u publikua të martën përmes një audioincizimi të transmetuar nga avokati Besnik Berisha.
Në incizim dëgjohet Arlinda duke kërkuar sqarime për trajtimin e rastit të saj nga Policia dhe Prokuroria.
“Nuk e di a të tregoi polici hetues?”, e pyet polici.
“Jo, kurgjo nuk më tregoi”, përgjigjet Arlinda.
Më pas, polici jep një shpjegim që ngre pyetje serioze për mënyrën se si po trajtoheshin shqetësimet e saj.
“Polici hetues, prokurorja e rastit, kujdestare, munësh me i kallxu edhe avokatës tane. Për momentin thotë, kanë me u mar nesër, me u shiqu kamerat e sigurisë. Për momentin nuk është rast. Por, është shënim zyrtar ky është si me thanë një gjysëm-rast. Duhet me u verifiku kamerat e sigurisë.”
“Përçka kamerat e sigurisë?”, pyet Arlinda.
“Kamerat e shpisë”, përgjigjet polici.
Në këtë pjesë të bisedës, polici flet për verifikimin e kamerave, ndërsa çështjen e përshkruan si një lloj “gjysëm-rasti”.