Browse

Article • • 1 min read

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës kërkon përfshirjen e Prokurorisë Speciale në hetimin e vrasjes së Arlinda Zekajt

Share Post

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që Prokuroria Speciale të angazhohet në hetimin e vrasjes së Arlinda Zekajt, me fokus edhe në veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve institucionalë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ka bërë të ditur se Komisioni Hetimor Parlamentar është në proces të konstituimit dhe do të shqyrtojë procedurat dhe përgjegjësitë institucionale që lidhen me këtë rast.

Ajo ka theksuar se do të jetë në dispozicion të plotë të komisionit dhe ka kërkuar që të gjithë zyrtarët e ftuar në cilësinë e dëshmitarëve të paraqiten dhe t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve.

Sipas Haxhiut, në këtë rast përfshihen edhe zyrtarë të lartë, kryeprokurorë, prokurorë dhe policë, prandaj vlerëson se hetimi duhet të jetë në kompetencë të Prokurorisë Speciale.

Ajo ka sqaruar se Komisioni Hetimor do të përgatisë një raport për rastin, të cilin do t’ia përcjellë prokurorisë përgjegjëse.

“Pa dyshim që prokuroria do të duhej të merrej me hetime në këtë rast, përkatësisht do të duhej që Prokuroria Speciale të jetë e angazhuar për të bërë hetime në raport me veprimet dhe mosveprimet apo veprimet e gabuara të secilit zyrtar në rastin e vrasjes tragjike të Arlinda Zekaj. Pra, Komisioni Hetimor është vetëm një mekanizëm shtesë që do të përpilojë në fund dokument për këtë rast dhe do ta drejtojë në prokurorinë përgjegjëse, uroj që ajo të jetë Prokuroria Speciale, për shkak se këtu përfshihen zyrtarë të lartë, përfshihen kryeprokurorë, prokurorë, policë, zyrtarë të tjerë të institucioneve, prandaj bie në fushëveprimtarinë e kësaj prokurorie”, deklaroi Haxhiu.