Protestuesi shqiptar pranon bashkëpunimin me studentët serbë për strategjitë e protestave
Një prej studentëve që merr pjesë në protestat në Tiranë ka pranuar se mban kontakte të vazhdueshme me studentë në Serbi, me të cilët diskuton mënyrat e organizimit të protestave dhe format e përdorura atje.
Deklarata u bë në emisionin “Breaking” në Euronews, ku studenti u pyet për modelin serb të protestave dhe për “Listën e Studentëve”, lëvizje që pas muajsh protestash ka kaluar edhe në organizim elektoral.
“Kam ndjekur dhe kam miq të mirë studentë në Serbi, me të cilët padyshim ngelemi në një kontakt të vazhdueshëm lidhur me organizimin e protestave dhe format që patjetër edhe ata kanë aplikuar”, tha ai.
Kështu, përderisa protestat në Tiranë paraqiten si një lëvizje e të rinjve shqiptarë, njëri prej pjesëmarrësve të tyre ka pranuar publikisht se komunikon vazhdimisht me studentë në Serbi dhe shkëmben me ta përvoja lidhur me organizimin e protestave.
“Me thënë të drejtën, në Shqipëri nuk është menduar konkretisht krijimi i një alternative nga sheshi në këto momente. Bëhet fjalë për një alternativë, e cila do të vijë padyshim pas dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama”, u shpreh studenti.
Sipas tij, objektivi i menjëhershëm i protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, pa pritur zgjedhjet e ardhshme.
“Fokusi kryesor në protestat e të rinjve dhe të rejave në Tiranë është dorëheqja e Edi Ramës. Ata nuk duan t’i japin më kohë Edi Ramës deri të vijnë votimet. Ata kërkojnë padyshim dorëheqje”, tha ai.
Video Player