Browse

Article • • 1 min read

Haxhiu: Policia hyri aty ku për gati tri dekada ishte vetëm KFOR-i

Share Post

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, ku Gjeneralmajori Özkan Ulutaş ia dorëzoi detyrën Gjeneralmajorit Roberto Vergori.

Përmes një postimi, Haxhiu ka shprehur mirënjohje për Gjeneralmajorin Ulutaş për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës gjatë dy mandateve të tij.

Ajo ka theksuar se gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës u përfshi në garantimin e sigurisë në hapësira ku për gati tri dekada ishte i pranishëm vetëm KFOR-i.

“Ky zhvillim dëshmon besimin në institucionet tona dhe sigurinë që është ndërtuar në Kosovë”, ka shkruar Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit i ka uruar suksese Gjeneralmajorit Roberto Vergori në detyrën e re, duke e mirëpritur atë në Kosovë.

Ajo gjithashtu ka falënderuar Turqinë dhe Italinë, të cilat, sipas saj, ndër vite kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në misionin e KFOR-it.

“Partneriteti me NATO-n mbetet shtyllë e sigurisë së Kosovës dhe e rrugës sonë euroatlantike”, ka përfunduar Haxhiu.