Browse

Article • • 1 min read

Agron Llakaj rikthehet në “Portokalli” pas vitesh larg ekranit

Share Post

Spektakli më i madh i humorit “Portokalli” rikthehet këtë mbrëmje në ekranin e Top Channel.

Sezoni i 46-të rikthen në krye të teatrit të “Portokalli” Agron Llakajn, që u ngjit në skenë si moderator, por edhe aktor, duke rikthyer disa nga rolet më të dashura.

“Ishte kënaqësi e veçantë rikthimi im në Portokalli, në ekranin që e quaj shtëpia ime, por edhe për rikthimin te publiku, pasi nuk kisha dalë prej 2020”, u shpreh Agron Llakaj, drejtues i “Portokalli”.

Krah tij në moderim është Kiara Tito, që vjen me një qasje tjetër përballë dashamirësve të humorit në sallë.

“Energjia e mirë që kemi me njëri-tjetrin do të përcillet në ekran besoj. Jam shumë e lumtur që do të prezantoj me Agron Llakajn, që e kam ndjekur që e vogël”, tha Kiara Tito.

Pas një pune përgatitore të gjatë, në natën e premierës mbrëmjen e së premtes, publiku shijoi një program të ngjeshur me shumë surpriza, me personazhe që rikthehen pas shumë vitesh dhe karaktere të reja.

“Ndihemi me më shumë përgjegjësi për të sjellë një sezon akoma më të fuqishëm, ju premtoj që nuk do të zhgënjeheni”, u shpreh aktori, Erblin Bejko.

Trupa e “Portokalli” është gati për një sezon të paharrueshëm, ku çdo shfaqje do të jetë unike.

“Ka qenë një nga mbrëmjet më me emocion në jetën time, që kam ardhur më në fund në Top Channel dhe në “Portokalli”, u shpreh aktori Albano Bogdo, që do jetë kë sezon pjesë e trupës së “Portokalli.

Situatat komike dhe satira e kuruar me kujdes frymëzohet nga aktualiteti dhe zhvillimet dinamike në vend e jo vetëm, duke shkaktuar shumë të qeshura dhe nxitur reflektim te shikuesit.

“Aktualiteti është një nga armët tona, duhet të jemi koherent me ngjarjet që ndodhin, çdo rol është i freskët”, tha aktori Gazmend Paja.

Për publikun që do të ndjekë “Portokalli” live çdo të premte në orën 19:00 janë rezervuar momente ekskluzive.

Ndërsa për teleshikuesit, “Portokalli” premton t’ju mbajë mbërthyer pas ekranit si asnjëherë tjetër, çdo diel në orën 21:00 në Top Channel.

Top Channel