Gjyqtari Smith bën lëvizjen e radhës në çështjen e krerëve të UÇK-së
Gjyqtari Charles L. Smith ka nisur procedurat për reparacionet ndaj viktimave në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.
Vendimi është marrë më 16 shtator dhe është bërë publik një ditë më vonë.
Kreu i Trupit Gjykues ka vendosur që të nisë procedura për kompensimin e viktimave të përfshira në këtë rast.
Sipas vendimit, Gjykata synon të nxjerrë një urdhër për reparacionet ndaj viktimave.
Procedura do të zhvillohet në përputhje me dispozitat përkatëse të ligjit dhe rregullat e Dhomave të Specializuara.
Megjithatë, nisja e kësaj procedure është e kushtëzuar me mundësinë që Mbrojtja të paraqesë kundërshtime.
Mbrojtja është udhëzuar të bëjë të ditur nëse ka kundërshtime lidhur me zhvillimin e procedurës për reparacionet.
Edhe Përfaqësuesi i Viktimave dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje.
Trupi Gjykues ka përcaktuar gjithashtu afate konkrete për paraqitjen e provave nga palët.
Përfaqësuesi i Viktimave duhet të njoftojë Gjykatën dhe palët për çdo ndryshim në mënyrën e paraqitjes së provave.
Nëse Përfaqësuesi i Viktimave dëshiron të paraqesë prova të tjera, ato duhet të dorëzohen brenda afatit të përcaktuar nga Trupi Gjykues.
Ndërkohë, Mbrojtja duhet të bëjë të ditur nëse synon të paraqesë prova lidhur me procedurën e reparacioneve.
Një nga hapat kryesorë të procesit është paraqitja e kërkesës konkrete për reparacione nga Përfaqësuesi i Viktimave.
Kjo kërkesë do t’i paraqitet Trupit Gjykues brenda afatit të përcaktuar në vendim.
Pas paraqitjes së kërkesës, Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Mbrojtja do të kenë mundësi të japin përgjigjet e tyre.
Gjykata ka përcaktuar gjithashtu procedurat për trajtimin e disa parashtresave të mëparshme të palëve.
Disa dokumente të dorëzuara më herët pritet të riklasifikohen si publike, në mënyrë që të jenë të qasshme.
Për dokumentet e Mbrojtjes, është kërkuar që të dorëzohen versionet publike të redaktuara ose të kërkohet që ato të mbeten të klasifikuara.
Kështu, pas vendimit të fundit në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, procesi tashmë po kalon edhe në fazën që lidhet me reparacionet për viktimat.
PV: 871