Vala e të nxehtit me 41°C, ndryshimi drastik i motit pritet!
Fundjava pritet të karakterizohet nga temperatura shumë të larta dhe mot kryesisht i kthjellët në të gjithë vendin, me maksimumet që mund të arrijnë deri në 41 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve meteorologjike, territori do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme, të favorizuara nga prania e presionit të lartë atmosferik mbi Europë.
Meteorologët bëjnë të ditur se anticiklonet afrikanë dhe ai i Azoreve do të ndikojnë në ruajtjen e motit të nxehtë dhe të thatë gjatë ditëve në vijim.
Gjatë fundjavës pritet të mbizotërojnë kthjellimet dhe moti me diell, ndërsa vetëm në zonat malore mund të ketë vranësira të pakta kalimtare.
Temperaturat minimale do të luhaten rreth 22 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 41 gradë, veçanërisht në zonat e ulëta dhe ato të brendshme.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, me shpejtësi rreth 7 metra për sekondë, duke krijuar kushte të favorshme për aktivitetet në natyrë.
Në zonat bregdetare, deti parashikohet të jetë i qetë, me valëzim të ulët prej 1 deri në 2 ballë.
Edhe fillimi i javës së ardhshme do të vijojë me mot të nxehtë dhe të kthjellët, ndërsa temperaturat do të mbeten në nivele shumë të larta.
Në disa rajone të vendit, termometri mund të shënojë sërish vlera prej 40 deri në 41 gradë Celsius, duke ruajtur valën e të nxehtit.
Sipas parashikimeve, ndryshimi i motit pritet të nisë në mesin e javës, kur do të ketë shtim gradual të vranësirave në pjesën më të madhe të territorit.
Gjithashtu priten reshje të dobëta shiu dhe shtrëngata afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike, kryesisht në disa zona të vendit.
Me ardhjen e këtij ndryshimi atmosferik pritet edhe një rënie e temperaturave, të cilat do të zbresin në rreth 35 deri në 36 gradë Celsius, ndërsa era do të forcohet duke arritur shpejtësi deri në 18 metra për sekondë.
PV: 3,348