Vala e të nxehtit godet: Sa do të zgjasin temperaturat përvëluese në Shqipëri?
Fundjava në Shqipëri pritet të karakterizohet nga temperatura të larta dhe mot kryesisht i qëndrueshëm, pavarësisht se vendi ndodhet tashmë në prag të ndryshimit të stinëve.
Sipas meteorologes Lajda Porja, ditët e fundjavës do të jenë kryesisht të ngrohta dhe me shumë orë me diell në pjesën më të madhe të territorit.
Paraditet pritet të jenë të kthjellëta, ndërsa gjatë pasditeve mund të shfaqen vranësira të lehta dhe kalimtare, veçanërisht në zonat malore.
Megjithatë, nuk priten reshje të konsiderueshme gjatë fundjavës, ndaj kushtet atmosferike do të mbeten përgjithësisht të favorshme për aktivitete në natyrë.
Temperaturat do të vijojnë të jenë të larta për periudhën. Në disa zona të vendit, vlerat maksimale pritet të arrijnë rreth 36 gradë Celsius.
Qarku i Beratit pritet të jetë ndër zonat më të nxehta, me temperatura që mund të arrijnë deri në 36 gradë Celsius.
Gjatë së shtunës mund të ketë një rënie të lehtë të temperaturave, por ato pritet të rriten sërish gjatë së dielës.
Edhe Elbasani do të përjetojë temperatura të larta, me vlera shumë pranë atyre që priten në Berat.
Pas këtyre zonave, temperaturat më të larta priten në Tiranë, Shkodër dhe Gjirokastër, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të jetë disi më e freskët.
Në zonat bregdetare temperaturat pritet të luhaten rreth 32 deri në 33 gradë Celsius, duke krijuar kushte të përshtatshme për plazh.
Vlora, Saranda dhe zona të tjera përgjatë bregdetit të Jonit mund të regjistrojnë temperatura edhe pak më të larta gjatë ditëve të fundjavës.
Sipas parashikimeve, moti do të jetë përgjithësisht i favorshëm për pushuesit, duke e bërë fundjavën të përshtatshme për det dhe aktivitete në natyrë.
Megjithatë, në zonat bregdetare duhet treguar kujdes për shkak të forcimit të herëpashershëm të erës, sidomos gjatë orëve të pasdites.
Era mund të shkaktojë dallgëzim në det, duke krijuar rrezik më të madh për fëmijët dhe për personat që përdorin mjete të vogla lundruese.
Ndryshimi i motit pritet të nisë gjatë mesjavës së ardhshme, kur temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme.
Nga temperaturat rreth 36 gradë Celsius, vlerat maksimale mund të zbresin në rreth 30 deri në 31 gradë në disa zona të vendit.
Me freskimin e motit priten edhe reshje, kryesisht në zonat malore, ndërsa në bregdet mund të shfaqen pika shiu dhe rrebeshe të izoluara.
Megjithatë, kjo rënie e temperaturave pritet të jetë e përkohshme. Pas disa ditësh, temperaturat mund të rikthehen në nivele më të larta.
Sipas parashikimeve meteorologjike, muaji shtator pritet të vijojë me temperatura mbi vlerat normale për këtë periudhë, ndërsa pjesa tjetër e vitit mund të sjellë më shumë reshje, rrebeshe dhe episode me breshër.
Për momentin, fundjava mbetet nën ndikimin e motit të ngrohtë dhe me diell, duke u konsideruar ndër fundjavat e fundit me karakter tipik veror përpara freskimit që pritet në mesjavën e ardhshme.
PV: 1,378