Messi në Lot Pas Rikthimit Sensacional Kundër Egjiptit
21:04 |
7 Korrik 2026
“Nga zero në hero”, fjalia që e përshkruan Lionel Messin në ndeshjen e 1/8 së finales së Argjentinës ndaj Egjiptit.
Kampioni i Botës në fuqi e fitoi këtë ndeshje me rikthim sensacional 3-2, për ta kapur biletën në çerekfinale në çastet e fundit të takimit, shkruan Arbresh.info.
Egjipti pati avantazhin prej dy golave por, shpirti luftarak i kampionit nuk u dorëzua dhe arriti diçka speciale.
Egjiptianët shënuan në minutën e 15-të për 0-1. Në minutën e 58-të, Ziko shënoi për 0-2 por goli u anulua për një faull të mëhershëm në Lissandro Martinezin. Por, Zico realizoi golin e dytë të Egjiptit në minutën e 67-të për ta dyfishuar epërsinë.
Kur të gjithë po e prisnin befasinë më të madhe të kampionatit ashtu nuk mendoi, Leo Messi.
Ylli argjentinas i cili deri në ato momente ishte fytyra tragjike e kombëtares së tij pasi humbi një penallti në minutën e 21-të, ku do ta barazonte rezultatin dhe mund t’i ndërronte kahjen lojës, u rikthye fuqishëm me një asistim në minutën e 79-të për Romeron i cili shënoi për 1-2.
Katër minuta më vonë, Leo Messi me një super gol barazoi rezultatin në 2-2, duke u shndërruar në një hero të Argjentinës në Kupën e Botës së fundit të tij.
Të gjithë po i prisnin vazhdimet, por i të njëjtit mendim nuk ishte edhe Enzo Fernandez i cili pas asistimi nga Lautaro shënoi më kokë për golin e fitores.
Në ato momente Messi nuk po i mbante lotët. Disa imazhe kanë pushtuar rrjetet sociale, ku shihet duke lotuar më i miri i Argjentinës.
Kujtojmë se Leo Messi po luan Kampionatin e tij të fundit Botëror. Ani pse në moshën 39-vjeçare, ai është bërë golashënuesi më i mirë në histori të Kupës së Botës me 21 gola.
Pas asistimit të tij të sotëm, është bërë edhe asistuesi më i mirë në histori të këtij kompeticioni me 9 gjithsej.
Ai është edhe golashënuesi më i mirë i këtij edicioni me tetë gola./Arbresh.info