Browse

Article 1 min read

Vëllezërit në arrati pas sulmit të përgjakshëm në Komoran

Share Post

TB

Gazeta Minuti arbn · July 7, 2026 · Uncategorized

Një përleshje e përgjakshme që ndodhi pasditen e së hënës në Komoran ka përfunduar me tre persona të therur me thikë, ndërsa dy vëllezër të dyshuar janë në arrati dhe po kërkohen intensivisht nga Policia e Kosovës, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Loris Muqakun dhe Mehxhet Muqakun, vëllezër nga fshati Nekoc, të cilët dyshohen se pas një konflikti në lokalin “Kafja e Vogël” në Komoran kanë sulmuar me thikë tre persona.

Viktimat e këtij incidenti janë Leart Krasniqi, 19 vjeç, Labinot Shala, 24 vjeç, dhe Migjen Nuha, 34 vjeç.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, kur Policia ka pranuar informacion për një rrahje në progres. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se bëhej fjalë për një sulm me thikë.

Tre të lënduarit fillimisht kanë marrë ndihmën e parë në Shtëpinë e Shëndetit në Komoran, ndërsa më pas janë dërguar në QKUK në Prishtinë. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Dy prej viktimave kanë pësuar lëndime në kraharor dhe brinjë, ndërsa viktima e tretë është therur në këmbë.

Pas sulmit, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk janë arrestuar.

Njësia e Hetimeve në Drenas, në koordinim me Prokurorin e Krimeve të Rënda, ka iniciuar rastin për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa kërkimet për kapjen e dy vëllezërve janë duke vazhduar.