Browse

Article 1 min read

Akuza e fortë e Pacollit ndaj Buzhalës: Beteja e integritetit?

Share Post

09:01 | 5 Korrik 2026

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj gazetarit Berat Buzhala, pas një kronike të publikuar nga Aeroporti i Vlorës, duke e akuzuar atë për shpifje, tendenciozitet dhe përpjekje për dëmtimin e imazhit të tij.

Pacolli shkruan se kronika e Buzhalës nuk e ka habitur, por se reagimi i tij vjen për shkak të asaj që ai e cilëson si një përpjekje të qëllimshme për ta diskredituar.

“Ti, Berat Buzhala, e pashë dhe e dëgjova kronikën tënde nga Aeroporti i Vlorës. Shpifjet e tua nuk më habisin më. Ajo që më detyroi të reagoj këtë herë është TENDENCIOZITETI YT DJALLZOR, I PAMORALSHEM dhe përpjekja e qëllimshme për te demtuar jo vetëm imazhin tim por edhe veprën time të ndertuar me shume mund e para.”, ka shkruar ai.

Sipas Pacollit, bëhet fjalë për një përpjekje të vetëdijshme për ta larguar vëmendjen nga, siç thotë ai, problemi real.

“Kjo mënyrë e të vepruarit nuk është rastësi. Është një përpjekje e vetëdijshme për të zhvendosur debatin nga problemi real – shkeljet ligjore dhe bllokimi i Aeroportit të Vlorës – drejt një narrative të fabrikuar që synon të më diskreditojë. Kjo nuk i shërben së vërtetës, nuk i shërben publikut dhe nuk i shërben gazetarisë. I shërben vetëm interesave të atyre që kanë frikë nga e vërteta dhe ndoshta ndonjë kocke më shumë për ty!”, u shpreh Pacolli.

Në postimin e tij, ish-presidenti pretendon se është informuar për arsyet e sulmit ndaj tij.

“Duke e njohur mënyrën se si ti vepron, pas ‘kronikës’ tende u interesova të kuptoj se çfarë fshihet pas këtij sulmi. Mësova se ty t’i ishin ndërprerë, muaj më parë, pagesat mujore që për vite të tëra ishin bërë nga ish-drejtor i Mabetex Holding-it, i cili sot është i denoncuar për vjedhje dhe mashtrim. Nëse kjo është arsyeja e ‘zgjimit’ tënd, atëherë publiku e ka të qartë motivin!”, shtoi ai.

Pacolli kujton gjithashtu një rast kur, sipas tij, kishte ndihmuar Buzhalën dhe familjen e tij për trajtim mjekësor në Zvicër.

“A ke respekt për prindin tënd? A të kujtohet kur, së bashku me ty, ju solla me avion privat në Zvicër, u kujdesa personalisht që t’i sigurohej trajtimi më i mirë mjekësor, ndërsa gjatë gjithë qëndrimit njerëzit e mi u përkujdesën për ju në hotel me pesë yje? Pas përfundimit të trajtimit, ju ktheva sërish në Kosovë në të njëjtën mënyrë.”, tha Pacolli.

Ai thekson se këtë ndihmë nuk e kishte bërë publike më herët.

“Nuk e kam përmendur kurrë këtë, sepse ndihma nuk jepet për t’u përmendur dhe as për të kërkuar mirënjohje. Por kur dikush si TI e shkel çdo normë morale, mirësinë e zëvendëson me SHPIFJE DJALLËZORE, mirënjohjen me keqberje dhe të vërtetën me intriga e konspiracione të qëllimshme për të dëmtuar, atëherë heshtja nuk është më virtyt, por do të ishte bashkëfajësi ndaj të keqës.”, theksoi ai.

Më tej, Pacolli ngre pyetje mbi sjelljen e gazetarit.

“Ku është morali yt? Çfarë u thua familjarëve të tu kur shohin këtë sjellje? Si ua shpjegon këtë fushatë të vazhdueshme shpifjesh ndaj një njeriu që, kur pate nevojë, nuk të ktheu kurrë shpinën?”, shtoi Pacolli.

Në fund të reagimit, ai thotë se Buzhala mund të vazhdojë me akuzat, por se publiku, sipas tij, e dallon gazetarinë nga propaganda.

“Ti more NJERI I KEQ mund të vazhdosh të shpifësh sebashku me ata të sojit tend. Ti mund të vazhdosh të ndërtosh kronika mbi insinuata e të pavërteta. Por, një gjë nuk mund ta ndryshosh: njerëzit tashmë të njohin. Ata e dinë dallimin mes gazetarisë dhe propagandës, mes kritikës dhe shpifjes, mes integritetit dhe interesit.”, shkroi ai.

Pacolli shton se, sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me Buzhalën, por edhe me gjendjen e një pjese të gazetarisë.

“Për mua, problemi nuk je vetëm ti. Problemi është fakti që një pjesë e gazetarisë ka rënë në atë nivel sa të shërbejë interesa të caktuara në vend të së vërtetës. Kjo është humbja më e madhe – jo për mua, por për vetë profesionin e gazetarit.”, tha Pacolli.

Në përfundim, ai paralajmëron se do të publikojë, sipas tij, “anët tjera të medaljes”.

“E ti, vazhdo me shpifjet, intrigat dhe konspiracionet tua, e unë, do t’u tregoj njerëzve edhe një anët tjera të medaljes: veprimet dhe prapaskenat e tua, duke filluar nga ‘vizitat’ e tua në Hygeia e deri te ato përtej Atlantikut. Ti more manipulues, mos harro se une çdo gjë e kam fituar me ndjersë e punë e jo me shantazhe.”, tha mes të tjerash ish-presidenti./Arbresh.info