Browse

Article 1 min read

Diaspora bashkohet protestës 35-ditore në Tiranë me mesazhe simbolike

Share Post

21:12 | 4 Korrik 2026

Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë këtë të shtunë në ditën e saj të 35-të ndërsa tubimit i janë bashkuar qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vende të ndryshme të botës.

Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, dhjetëra qytetarë nga diaspora janë mbledhur fillimisht në Shkodër, përpara se të niseshin drejt Tiranës. Ata kanë udhëtuar me automjete të zbukuruara me flamurin kuqezi, duke iu bashkuar më pas protestuesve në tubimin e mbrëmjes.

Kjo ditë e 35-të e protestës përkonte me datëlindjen e 62-të të kryeministrit, ndërsa shumë prej protestuesve kishin sjellë me vete torta simbolike, në të cilat ishin shkruar mesazhe ku i kërkohej dorëheqja.

Pjesëmarrësit deklarojnë se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara në raport me protestat e mëparshme, ndërsa këtë herë kanë përcjellë edhe një mesazh simbolik në ditën e lindjes së kryeministrit.

Tubimi ka nisur në Sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u mblodhën përpara se të marshonin drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë protestës janë mbajtur fjalime nga pjesëmarrësit, me fokus kërkesat për largimin e qeverisë dhe ndryshimin e klasës aktuale politike.

Mes turmës së protestuesve ka spikatur një tjetër akt simbolik. Protestuesit kanë shpalosur flamurin gjigandi kuq e zi mbi Piramidë.

Pamjet janë shoqëruar me brohoritjet “Revolucion”, “Dorëheqje”, “Lironi çunat”, “Shqipëri e re”.

Përveç flamujve kuqezi, në shesh kanë valëvitur edhe flamuj amerikanë, në shenjë urimi për 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ndërsa flamingot, të shndërruara tashmë në simbol të kësaj lëvizjeje, kanë qenë sërish të pranishme përgjatë gjithë protestës.