Pse Kosova konsiderohet si vendi më pro-amerikan në botë
23:07 |
4 Korrik 2026
E ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka vlerësuar Kosovën si një nga vendet më pro-amerikane në botë, gjatë manifestimit festiv “Thank You USA” të organizuar në Prishtinë me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Prattipati ka theksuar se përvoja e saj në vende të ndryshme të botës i jep asaj një perspektivë të gjerë, por se Kosova dallohet për lidhjen e fortë me SHBA-të.
“Kam shërbyer e jetuar në shumë vende, por Kosova me të vërtetë është shteti më pro-amerikan në botë. Populli i Kosovës, unë e njoh lojalitetin dhe lidhjet, ato janë të pashkatërrueshme. Respekti dhe afërsia që kam parë këtu janë të jashtëzakonshme. Kudo që kaloj, njerëzit më falënderojnë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë dhe kjo më ka prekur thellësisht”, u shpreh ajo.
Sipas saj, kjo afërsi dhe mirënjohje ndaj SHBA-së është e dukshme në çdo takim me qytetarët, duke shtuar se kjo përbën një vlerë të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe.
Prattipati rikujtoi edhe zhvillimet historike që lidhen me shtetformimin e Kosovës dhe mbështetjen amerikane.
“Shtetet e Bashkuara ia kthejnë këtë afërsi dhe lojalitet. Ne e dinim në vitin 1999 se Kosova ishte gati të bëhej shtet. E dinim edhe në vitin 2008 se kishte ardhur koha që Kosova të ishte një shtet i pavarur, sovran dhe multietnik, që të zinte vendin e saj në bashkësinë ndërkombëtare. E dinim se Kosova do të ishte një partner dhe aleat i Shteteve të Bashkuara, dhe ju e keni dëshmuar këtë në 18 vitet e fundit”, ka deklaruar ajo.
Ajo pranoi se mes dy vendeve ka pasur edhe mospajtime, por theksoi se ato nuk e kanë cenuar partneritetin strategjik.
“Po, kemi pasur mosmarrëveshje dhe çështje ku ndonjëherë nuk jemi pajtuar, por në përgjithësi Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë bërë aq shumë së bashku. Kemi qenë partnerë, kemi ndarë vlera dhe kemi arritur gjëra të mëdha. Kemi parë Kosovën të rritet dhe kemi parë Kosovën të na mbështesë në disa nga çështjet më të rëndësishme në botë. Lidhjet tona po bëhen më të forta çdo ditë dhe çdo vit”, u shpreh Prattipati.
Duke folur për të ardhmen e marrëdhënieve, ajo shtoi se bashkëpunimi do të vazhdojë të forcohet edhe në dekadat e ardhshme.
“Shpresojmë që edhe në 250 vitet e ardhshme këto lidhje të vazhdojnë, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve mes dy qeverive, por për shkak të njerëzve si ju që jeni këtu sonte. Ne i shohim këto lidhje kulturore dhe njerëzore të rriten çdo ditë përmes programeve të shkëmbimit dhe bashkëpunimit, dhe kjo është garancia më e fortë për të ardhmen e miqësisë sonë”, ka theksuar ajo.
Në këtë manifestim foli edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili theksoi rëndësinë e miqësisë me Shtetet e Bashkuara.
“Prishtina dhe Kosova ju duan juve, i duan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe jo vetëm 4 Korriku, por ne në fakt festojmë miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi shumë mirënjohës që ju kemi këtu”, ka theksuar Rama./rtk