'Vita' në qendër të kritikave për shkeljen e ndalimit të përbërësve
Siguri
Sinjali.com
04 Korrik 2026 13:04
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se komisioni inspektues ka konstatuar se fabrika për përpunimin e qumështit “Vita”, në Istog, ka shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë që ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit.
Udhëheqësi i Zyrës së AUV-së në Prizren, Durak Zyrapi, tha para gazetarëve se konstatimi është bërë në bazë të gjetjeve të inspektorëve që kanë qenë në terren.
“Ne si komision kemi konstatuar, në bazë të gjetjeve të inspektorëve që kanë qenë në terren, se subjekti në fjalë ka shkelur vendimin e ministrit, ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat e përpunimit të qumështit. Ky ka qenë konstatimi fillestar i komisionit”, tha Zyrapi.
Ai sqaroi gjithashtu se jo të gjithë anëtarët e komisionit kanë qenë të pranishëm gjatë inspektimit, duke mohuar raportimet se i gjithë komisioni kishte marrë pjesë në kontroll.
“Sa i përket korrektësisë së opinionit dhe disa portaleve që po shkruajnë se kemi qenë të gjithë prezent në inspektim, kjo nuk është e vërtetë. Unë personalisht, edhe pse jam kryesues i komisionit të monitorimit, nuk kam qenë në inspektim brenda objektit; kam qenë jashtë zyrave”.
“Edhe pesë zyrtarë të tjerë të ministrisë nuk kanë qenë pjesë e këtij zhvillimi. Të tjerët që kanë qenë kompetentë dhe që vijnë nga fushat përkatëse, kanë kryer inspektimin dhe na kanë paraqitur konstatimet e tyre”.
Ndërkaq, shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar në AUV, Eroll Shehu, tha se procesi i inspektimit në kompaninë “Vita” është zhvilluar në mënyrë transparente.
“Këtë herë, gjatë gjithë kohës kemi pasur kamera përreth dhe tani jemi në proces të pritjes së rezultateve nga laboratori”, tha Shehu para gazetarëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!