Autoritetet shqiptare pengojnë kontrabandën e AK-47-ve të fshehura në dritare plastike
Siguri
Sinjali.com
03 Korrik 2026 12:21
Një operacion i zhvilluar në fshehtësi të plotë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda (DHKOKR) ka parandaluar kontrabandimin e një arsenali armësh drejt Francës, ndërsa një 26-vjeçar ka përfunduar në pranga, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjithçka nisi më 25 qershor, kur hetuesit pranuan informacione operative se në depon e agjencisë turistike “DONI Tourist” në Podujevë ndodheshin dy dritare plastike brenda të cilave dyshohej se ishin fshehur armë.
Pas kontrollit të detajuar, Policia zbuloi se brenda dritareve ishin fshehur:
- 4 pushkë automatike AK-47;
- 9 karikatorë;
- 262 fishekë;
- 2 dritare plastike, të modifikuara për fshehjen e armëve.
Për të mos komprometuar hetimin, Policia e mbajti të gjithë operacionin plotësisht konfidencial, duke mos e bërë publike sekuestrimin e armëve.
Sipas hetimeve, personat që kishin organizuar dërgesën me dokumente të falsifikuara, si dhe pritësit e saj në qytetin Mulhouse të Francës, nuk ishin në dijeni se armët ishin zbuluar dhe sekuestruar nga autoritetet kosovare.
Kur dërgesa nuk mbërriti në destinacion, i dyshuari B. H. (27-vjeç) dyshohet se u paraqit më 2 korrik në agjencinë turistike për ta tërhequr porosinë, duke menduar se ajo ishte kthyer ose kishte mbetur në transit.
Në atë moment, hetuesit e DHKOKR-së ndërhynë dhe e arrestuan në flagrancë.
Operacioni vazhdoi me bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit, ku u gjetën dhe u sekuestruan edhe tri pjesë të pushkëve automatike AK-47 dhe kondakë druri.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj B. H. është iniciuar procedurë për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” dhe “Falsifikim”, ndërsa ai është dërguar në mbajtje.
Sinjali do të publikojë edhe fotografitë e arsenalit të armëve të sekuestruara, të siguruara nga burimet e veta.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!