Videoja virale e 'hajdutëve të ndëshkuar' në Indonezi ishte një mashtrim
Botë
Sinjali.com
03 Korrik 2026 09:14
Një video që është bërë virale në rrjetet sociale, ku shihen dy persona të mbështjellë pothuajse tërësisht me shirit ngjitës portokalli, duke ngjarë me personazhet e serialit për fëmijë “Teletubbies”, ka nxitur reagime të shumta në internet.
Postimet që shoqëronin videon pretendonin se dy burrat ishin hajdutë të kapur pasi kishin tentuar të vidhnin një biznes në Indonezi dhe se banorët lokalë i kishin lidhur në këtë mënyrë derisa të mbërrinte policia.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi, duke ndarë opinionin publik. Disa përdorues i konsideruan ato humor të zi, ndërsa të tjerë ngritën shqetësime se bëhej fjalë për një formë të tepruar të ndëshkimit nga qytetarët, transmeton Sinjali.
Megjithatë, mediumi indonezian Detik News raportoi se pretendimet që shoqëronin videon janë të rreme. Sipas këtij mediumi, videoja është xhiruar në Indonezi dhe nuk është e krijuar me inteligjencë artificiale, por nuk paraqet hajdutë të kapur dhe të poshtëruar publikisht.
Detik News bën të ditur se pamjet janë realizuar nga një grup krijuesish të përmbajtjes nga Malangu në Java Lindore, të cilët operojnë në YouTube me emrin Batre TV. Skena është xhiruar gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë dhe kishte për qëllim argëtimin.
Njëri nga anëtarët e grupit kishte pranuar të mbështillej me shirit ngjitës pasi kishte pranuar një sfidë nga ndjekësit e tyre.
Më pas, pjesë të videos u ripostuan nga llogari të tjera në rrjetet sociale pa lejen e autorëve dhe u shoqëruan me pretendime të rreme se bëhej fjalë për kriminelë të ndëshkuar nga qytetarët.
Raportimet tregojnë se e gjithë ngjarja ishte një inskenim për të tërhequr vëmendje në internet dhe jo një rast i vërtetë i drejtësisë së marrë në duart e qytetarëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!