Browse

Article 1 min read

Cristiano Ronaldo i jep lamtumirën Portugalisë pas Botërorit 2026

Share Post

00:16 | 3 Korrik 2026

‘Epoka Cristiano Ronaldo’ në Kombëtaren e Portugalisë duket se tashmë ka një datë skadimi: Kupa e Botës 2026.

Pas 232 ndeshjeve me fanellën e Portugalisë (duke përfshirë edhe sfidën ndaj Kroacisë), 41-vjeçari pritet t’i japë fund aventurës me kombëtaren dhe të mos jetë pjesë e Euro 2028, shkruan Arbresh.info.

Këtë e ka bërë të ditur motra e tij, Kátia Aveiro, në prag të ndeshjes me Kroacinë.

“Sipas informacionit që kam, ai mund t’i thotë lamtumirë. Jo sot, por besoj se kjo është përshëndetja e fundit. E kam fjalën për kombëtaren. Sipas një burimi të besueshëm, ky është ‘vallëzimi i fundit’, Botërori”, tha ajo për Sport TV, para se të nisej drejt stadiumit në Toronto.

Nëse kjo ndodh, Cristiano Ronaldo do ta mbyllë karrierën me Portugalinë si futbollisti me më shumë paraqitje në histori të kombëtares (232) dhe si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 145 gola.

Ai largohet me tre trofe të fituar: Euro 2016 dhe dy tituj të UEFA Nations League, ndërsa ëndrra për ta fituar Kupën e Botës mbetet objektivi i fundit i madh me fanellën portugeze.

Kátia Aveiro foli edhe për kritikat që vazhdon të marrë vëllai i saj.

“Njerëzit e zgjuar, ata që e duan futbollin, duhet ta duan Ronaldon. Janë ata që humbasin. Ai ka dominuar për më shumë se 20 vjet. Shikoni ku është sot familja Aveiro dhe nga kemi ardhur. Shikoni sa ka vuajtur nëna ime. A mendoni se kritikat do ta ndikojnë lumturinë tonë? Kurrë!”, deklaroi ajo.

Në fund, ajo u ndal edhe te rrugëtimi i Ronaldos me Portugalinë, që nisi në vitin 2003.

“Më e rëndësishmja është të shijojmë këto mbi 20 vite që kemi përjetuar. Jam jashtëzakonisht krenare. Ai ka besim dhe është më pak nervoz se ne. E ndjeva energjinë pozitive dhe besimin e tij. Qoftë Spanja apo kushdo tjetër, duhet të përballemi me ta dhe të jemi të përgatitur.”