Browse

Article 1 min read

Veprimi i guximshëm i Ministrit Muja për të rikthyer pronat e uzurpuara

Share Post

16:05 | 2 Korrik 2026

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka vazhduar sot zbatimin e vendimit të Ministrit, Armend Muja, për lirimin dhe rikthimin në posedim të ligjshëm të të gjitha pronave të uzurpuara që janë në administrim të Institutit Bujqësor të Kosovës (IBK), si pjesë e angazhimit institucional për mbrojtjen e pronës publike dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Në kuadër të këtij procesi, sot është liruar prona e MBPZhR-së – Institutit Bujqësor të Kosovës në Stankaj të Rugovës, në zbatim të Marrëveshjes së Ndërmjetësimit nr. ND.nr.430/25, të datës 19.12.2025, të miratuar me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Ky veprim përfaqëson vazhdimin e zbatimit të vendimit të Ministrit Armend Muja, sipas të cilit çdo pronë e Institutit Bujqësor të Kosovës që është uzurpuar ose shfrytëzohet pa bazë ligjore do t’i rikthehet posedimit të ligjshëm të Ministrisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përmes procedurave të rregullta ligjore.

MBPZhR do të vazhdojë me identifikimin, lirimin dhe mbrojtjen e të gjitha pronave në administrimin e saj, duke ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm ligjor dhe administrativ për garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të pasurisë publike.

Ministria u bën thirrje të gjithë shfrytëzuesve të paautorizuar të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës që të respektojnë dispozitat ligjore dhe vendimet e institucioneve kompetente, duke mundësuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e pasurisë publike./Arbresh.info