Browse

Article 1 min read

Tension Familjar në Podujevë: Daja dhe Nipat në Përleshje me Armë

Share Post

15:11 | 2 Korrik 2026

Podujeva është tronditur mesditën e së enjtes nga një incident i armatosur në qendër të qytetit, ku si pasojë katër persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Policia e Kosovës njoftoi se rreth orës 13:30 ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri, ndërsa njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore.

Sipas informacioneve që kanë raportuar mediat, personat e përfshirë në incident dyshohet se janë në lidhje familjare, përkatësisht dajë dhe nipa, ndërsa një konflikt i mëhershëm besohet të ketë çuar deri te përplasja e armatosur.

Si të plagosur janë përmendur:

Fidaim Zejullahu (1990), shtetas gjerman;
Agim Xhemaji;
Argjend Islami, rreth 25 vjeç, i cili sipas informacioneve fillestare dyshohet se ishte kalimtar i rastit në momentin kur u hap zjarri.

Ndërkohë, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, konfirmoi se në spital janë pranuar katër persona të plagosur.

“Katër të plagosur janë pranuar, janë të moshës së mesme dhe po kryhen ekzaminimet e nevojshme. Për të katërtit gjendja është e rëndë, por stabile, edhe pse kanë plagë nga armë zjarri”, deklaroi Syla.

Për rastin ka reaguar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë. Zëdhënësja Kaltrina Shala bëri të ditur se prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po udhëheq veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.