Arrestimi i të dyshuarit gjerman në Kosovë ngjall reagime pas rrëmbimit të fëmijës
16:49 |
27 Qershor 2026
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet e Spanjës, ka zhvilluar një operacion të suksesshëm, i cili rezultoi me arrestimin e një shtetasi gjerman të kërkuar nga INTERPOL-i nën dyshimet për veprën penale “rrëmbim i fëmijës”.
Sipas njoftimit të policisë, i arrestuari, me inicialet A.M.L. (1989), kërkohej nga autoritetet spanjolle, të cilat kishin informuar se ai dyshohej për rrëmbimin e një vajze gjashtëvjeçare dhe se ndodhej në territorin e Kosovës.
Pas koordinimit ndërmjet Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe njësive të tjera relevante, i dyshuari u lokalizua dhe u arrestua më 24 qershor në Fushë Kosovë, ku u gjet edhe fëmija.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa vajza është trajtuar sipas procedurave ligjore dhe është vendosur fillimisht në një strehim të sigurt.
Policia bëri të ditur se, në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale dhe autoritetet spanjolle, më 25 qershor fëmija iu dorëzua në mënyrë të sigurt nënës së saj.