Kadetët e FSK-së në qendër të vëmendjes pas operacioneve intensive në terren
16:44 |
26 Qershor 2026
Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses vlerësimin praktik për vitin akademik 2025/2026, të organizuar nën emrin “Qielli i Shqiponjave 2026”.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë një angazhimi nëntëditor në rajonin e Gjakovës, kadetët realizuan operacione luftarake në nivel togu dhe kompanie, duke vënë në praktikë njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë procesit mësimor.
Vlerësimi praktik përfshiu planifikimin dhe zbatimin e operacioneve luftarake, koordinimin ndërmjet njësive dhe marrjen e vendimeve në situata dinamike, duke testuar përgatitjen profesionale të kadetëve në terren.
Sipas FSK-së, ky aktivitet kishte për qëllim zhvillimin e aftësive udhëheqëse, forcimin e disiplinës dhe bashkëpunimit ekipor, si pjesë e përgatitjes së tyre për kryerjen e detyrave në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës.