Gjykata e Lartë në krah të Mabco-s, rrëzon masën ndaj aksionarit të Aeroportit të Vlorës
22:12 |
25 Qershor 2026
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ka vendosur të ndryshojë vendimet e dy shkallëve më të ulëta të gjyqësorit në mosmarrëveshjen mes kompanive që qëndrojnë pas projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Me vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka rrëzuar masën e sigurimit të padisë që ishte vendosur ndaj kompanisë “Mabco Constructions”, duke shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë të datës 23 dhjetor 2025, si dhe vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 19 shkurt 2026.
Në vendimin e shpallur, Kolegji Civil ka vendosur rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga “Vlora International Airport” SHPK dhe “2A Group” për marrjen e masës së sigurimit të padisë.
Mosmarrëveshja lidhet me konfliktin mes ortakëve të projektit të Aeroportit të Vlorës, ku më herët gjykatat kishin vendosur pezullimin e të drejtës së votës së “Mabco Constructions” në organet drejtuese të shoqërisë deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Megjithatë, Gjykata e Lartë vlerësoi se nuk qëndrojnë kushtet ligjore për mbajtjen në fuqi të kësaj mase sigurie, duke i hapur rrugë rikthimit të plotë të të drejtave të kompanisë në strukturat vendimmarrëse të shoqërisë.
Vendimi konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në betejën ligjore që po zhvillohet rreth njërit prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri./Arbresh.info