Behgjet Pacolli ngre alarmin për bllokadën e dyshuar në Aeroportin e Vlorës
09:57 |
24 Qershor 2026
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me situatën në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke ngritur shqetësime për bllokimin e rrugëve dhe ecurinë e punimeve në këtë projekt.
Pacolli ka deklaruar se, sipas tij, një grup privat po vepron në kundërshtim me ligjin duke bllokuar rrugë publike dhe duke penguar lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe mjeteve në zonën e aeroportit.
Postimi i plotë:
Si është e mundur që një grup privat, duke vepruar në kundërshtim me ligjin, të bllokojë një rrugë publike pa asnjë bazë ligjore, me vetëgjyqësi dhe nën mbrojtjen e institucioneve shtetërore?
Mediat shqiptare dhe ndërkombëtare qe sa ditë janë duke raportuar këtë realitet të shëmtuar që po zhvillohet në hyrje të arealit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Kjo po ndodh në republikën Shqipërisë!!!
Prej muajsh, grupe të jashtëligjëshme të lidhura me Valon Ademin, të mbështetura nga forca të Policisë së Shtetit, kanë bllokuar akceset madje edhe rrugën publike që të çon drejt hyrjes së aeroportit, duke penguar lëvizjen e lirë të punonjësve, duke i privuar ata nga e drejta kushtetuese për të punuar dhe duke ndërhyrë në posedimin dhe përdorimin e mjeteve e pajisjeve të tyre të punës.
Ky është një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm për shtetin e së drejtës dhe ngre pikëpyetje serioze mbi rolin e institucioneve publike, të cilat kanë detyrimin ligjor të garantojnë rendin, ligjshmërinë dhe të drejtat e qytetarëve, e jo të tolerojnë apo të mbështesin veprime arbitrare dhe të paligjshme.
Publiku meriton të dijë të vërtetën:
• Kush e ka autorizuar këtë bllokadë?
• Mbi çfarë baze ligjore është bllokuar një rrugë publike?
• Kush mban përgjegjësi për pengimin e aktivitetit normal të një projekti me rëndësi kombëtare?
• Kush po nxit konfliktin dhe kujt i shërben përshkallëzimi i kësaj situate?
• Kush po i inkurajon grupet private të marrin përsipër funksione që i përkasin vetëm shtetit dhe institucioneve të tij?
• Kush po e pengon qëllimisht përfundimin dhe hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe për çfarë interesash?
Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe të gjitha institucioneve kompetente, të nisin menjëherë hetimet për këtë situatë alarmante.
Kjo nuk është thjesht një mosmarrëveshje tregtare apo kontraktore. Kjo është një çështje e sundimit të ligjit, e sigurisë juridike, e funksionimit të institucioneve shtetërore dhe e mbrojtjes së interesit publik.
Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të lejohet të zëvendësojë shtetin me vetëgjyqësi./Arbresh.info