Komenti i papritur i Mbappes për Messin që po komentohet
16:11 |
23 Qershor 2026
Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, ka hedhur poshtë çdo pretendim për një rivalitet personal me Lionel Messin, teksa të dy vazhdojnë të ngjiten në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës.
Ylli francez realizoi dy gola në fitoren bindëse 3:0 ndaj Irakut, duke ndihmuar Francën të sigurojë kualifikimin në fazën eliminatore pas vetëm dy ndeshjeve të para në grup.
Mbappe ishte sërish vendimtar për “Les Bleus”, ndërsa me dopietën e tij arriti në kuotën e 16 golave në Kupat e Botës, duke barazuar rekordin e Miroslav Kloses dhe duke lënë pas legjendën braziliane Ronaldo.
Përballja në Filadelfia u ndërpre për më shumë se dy orë për shkak të stuhive të forta, por Franca ruajti kontrollin edhe pas rifillimit të ndeshjes. Fitorja u vulos me golin e Ousmane Dembeles.
Pas ndeshjes, vëmendja u përqendrua te gara e golave mes Mbappes dhe ish-bashkëlojtarit të tij te Paris Saint-Germain, Lionel Messi. Megjithatë, sulmuesi i Real Madridit mohoi çdo rivalitet me argjentinasin.
“Nuk ka asnjë sagë me Messin. Leo ka shënuar gjithashtu, ai shënon dhe gjithmonë do të shënojë. Nuk shikoj çfarë bën ai, sepse përndryshe do të më duhej të bëja edhe më shumë. Unë shikoj vetëm ekipin tim. Kur shënon gola, afrohesh me këto rekorde, por për mua është më e rëndësishme të shoh progresin e skuadrës”, deklaroi Mbappe.
Dy golat e fundit erdhën në paraqitjen e tij të 100-të me fanellën e Francës, ndërsa tani ai ndodhet vetëm dy gola larg Lionel Messit, i cili numëron 18 gola në historinë e Botërorëve.
Trajneri Didier Deschamps beson se sulmuesi francez do të vazhdojë të thyejë rekorde në vitet e ardhshme.
“Rekordet janë bërë për t’u thyer. Ai ka arritur në 100 paraqitje dhe do të vazhdojë të shënojë shumë gola. Messi, Ronaldo… nuk jam i sigurt nëse Kylian do të luajë deri në të njëjtën moshë si ata, por ai ka aftësinë ta çojë këtë rekord edhe më lart”, tha Deschamps.
Me gjashtë pikë nga dy ndeshje dhe kualifikimin tashmë të siguruar, Franca do ta mbyllë fazën e grupeve të premten ndaj Norvegjisë. Sfida pritet të sjellë një duel spektakolar mes dy prej sulmuesve më të mirë në botë, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland./Arbresh.info