FSK e Kosovës merr vlerësime për rolin kyç në misionin britanik
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përmbyllur me sukses pjesëmarrjen në Operacionin “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar, një mision ndërkombëtar në mbështetje të Ukrainës, i udhëhequr nga Britania e Madhe.
Kosova ka qenë pjesë e këtij operacioni që nga fillimi i vitit 2024, duke marrë pjesë me pesë kontingjente të njëpasnjëshme të FSK-së, të përbëra nga instruktorë dhe personel i specializuar ushtarak. Gjatë këtij angazhimi, pjesëtarët e FSK-së kanë kontribuar në trajnimin e forcave ukrainase, me qëllim rritjen e aftësive dhe gatishmërisë së tyre operacionale.
Sipas njoftimit, kontributi i FSK-së është vlerësuar lart nga partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar profesionalizmin, përkushtimin dhe aftësitë e larta ushtarake në mjedise shumëkombëshe.
Operacioni “Interflex” është një iniciativë shumëkombëshe e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, që synon përgatitjen dhe trajnimin e forcave ushtarake ukrainase në kuadër të mbështetjes për mbrojtjen e vendit.
Përveç pjesëmarrjes në këtë operacion, Kosova ka vazhduar të shprehë mbështetje për Ukrainën edhe përmes forumeve ndërkombëtare dhe ndihmës konkrete në pajisje dhe donacione për forcat e saj të armatosura.
Në përmbyllje të misionit është organizuar një ceremoni në Mbretërinë e Bashkuar, ku pjesëtarët e FSK-së janë vlerësuar me çmime dhe mirënjohje për kontributin e tyre.
Ky angazhim, sipas autoriteteve, dëshmon profesionalizmin e FSK-së dhe forcon rolin e Kosovës si partnere e besueshme në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, stabilitet dhe siguri./Arbresh.info