Aeroporti i Vlorës në ngërç: Bllokada dhe tensione pengojnë punimet
08:47 |
23 Qershor 2026
Situata në kantierin e Aeroportit të Vlorës ka mbetur e tensionuar edhe gjatë ditës së sotme, ku punëtorët e kompanisë MABCO nuk janë lejuar të hyjnë për të vijuar punimet. Hyrjet në zonën e kantierit raportohet se janë bllokuar me kamionë dhe mjete të rënda.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, në terren është e pranishme edhe Policia e Shtetit shqiptar, e cila po monitoron situatën, raprton Arbresh.info.
Ndryshe, MABCO ka deklaruar më parë se vepron në bazë të një vendimi të Gjykatës së Lartë dhe se synon përfundimin sa më të shpejtë të punimeve.
Ndërkohë, ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, një ditë më parë ka ngritur alarmin për gjendjen në kantier, duke deklaruar se janë konstatuar dëmtime të shumta materiale, pajisje të vjedhura dhe akte vandalizmi, për të cilat ai ka kërkuar hetim të thellë nga organet kompetente.
Tutje, Pacolli ka theksuar se pavarësisht dëmtimeve dhe pengesave të raportuara, kompania MABCO do të vazhdojë punimet deri në përfundimin e Aeroportit të Vlorës, të cilin e konsideron një projekt strategjik me rëndësi kombëtare, që sipas tij do t’u shërbejë qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit./Arbresh.info