Lavdërimet e Julian Alvarez për Messin ngjallin reagime pas ndeshjes historike
22:25 |
22 Qershor 2026
Sulmuesi i Argjentinës, Julian Alvarez, ka lavdëruar Lionel Messin pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme në fitoren ndaj Austrisë në Kupën e Botës 2026.
26-vjeçari, i cili u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes pasi po rikuperohet nga një dëmtim në nyjën e këmbës, nuk kurseu fjalët për kapitenin argjentinas, i cili realizoi dy gola dhe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorëve.
“I pabesueshëm. Të them të drejtën, nuk kanë mbetur më shumë fjalë për të shtuar”, deklaroi Alvarez për “Tiempo de Juego”.
Sulmuesi argjentinas theksoi se Messi vazhdon të mahnisë bashkëlojtarët e tij çdo ditë.
“Ne e shohim çdo ditë. Ka kaq shumë vite që vazhdon të tregojë magjinë dhe talentin e tij. Ai është më i miri në histori dhe ne përpiqemi ta shijojmë sa më shumë praninë e tij”, shtoi Alvarez.
Futbollisti i Atletico Madridit pati mundësinë të shënonte në minutat shtesë pas një asistimi nga Messi, por nuk arriti të mposhtte portierin austriak Alexander Schlager. Topi i kthyer përfundoi sërish te Messi, i cili realizoi golin e dytë të ndeshjes.
Alvarez foli edhe për ecurinë e Argjentinës në turne, teksa “Albicelestët” po konsiderohen si një nga favoritët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës, së bashku me Spanjën dhe Francën.
I pyetur për mundësinë e një përballjeje me Spanjën në fazën eliminatore, ai pranoi se do të preferonte ta shmangte një duel të tillë.
“Natyrisht, nëse mund të shmanget, sepse e dimë që është një kundërshtar shumë i fortë”, tha ai.
Megjithatë, Alvarez theksoi se Argjentina është e gatshme për çdo sfidë.
“Në fund, për të arritur në finale duhet të fitosh ndaj kujtdo. Duhet të jemi të fokusuar te vetja jonë dhe të ecim hap pas hapi”, përfundoi sulmuesi argjentinas.
Pas fitores së sontme, Argjentina e siguroi kualifikimin në fazën e 1/16 së finales. Teksa takimin e radhës në grup e luan me Jordaninë./Arbresh.info