Browse

Article 1 min read

Lëvizja e Papritur e NATO-s: Çfarë Nënkupton për Kosovën?

Share Post

21:14 | 19 Qershor 2026

Një zyrtar i NATO-s ka thënë se vendimi për optimizimin e forcave të KFOR-it në Kosovë nuk prek marrëveshjet ekzistuese që janë në mes të Aleancës Veri-Atlatnike dhe Kosovës.

Ai ka thënë se vendosja e FSK’së në Veri të Kosovës mbetet e kushtëzuar nga marrëveshjet aktuale dhe miratimi paraprak i Komandantit të KFOR-it

“Procesi i optimizimit nuk prek marrëveshjet ekzistuese të bashkëpunimit me Kosovën. Dislokimi i FSK-së në Veri mbetet i kushtëzuar nga marrëveshjet aktuale dhe miratimi paraprak i Komandantit të KFOR-it”,ka deklaruar ky zyrtar i NATO-s për REL.

Dy ditë më parë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se misioni paqeruajtës i Aleancës në Kosovë, KFOR, do të hyjë në një fazë përshtatjeje. Kjo do të bëjë që numri i trupave të ulet gradualisht në rreth 3.000 deri në 3.500 ushtarë, në varësi të zhvillimeve të sigurisë në terren. Duke folur në Bruksel, Rutte sqaroi se aktualisht në Kosovë ndodhen rreth 4.700 ushtarë të KFOR-it, por se ky numër është në proces rishikimi dhe mund të kthehet në nivelet e mëparshme.

“Në këtë moment, KFOR ka rreth 4.700 trupa. Ajo që po bëjmë është një rikthim gradual drejt niveleve para vitit 2023, gjithmonë në varësi të rrethanave” u shpreh ai. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, ndryshimet nuk nënkuptojnë tërheqje të angazhimit të NATO-s, por një ripozicionim më efikas të forcave në terren.

“Ky është një proces optimizimi i pranisë sonë. KFOR do të vazhdojë të përqendrohet në mandatin e tij thelbësor: garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë”, theksoi Rutte. Ai shtoi se vendimi vjen pas vlerësimeve të vazhdueshme të situatës së sigurisë dhe përmirësimeve të vërejtura në terren.