Vetëvendosje trondit me qëndrimin e papritur për Presidentin
TB
Gazeta Minuti arbn · June 10, 2026 · Uncategorized
Kosova po hyn në një fazë të re politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat prodhuan sërish një fitues, por jo një shumicë të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti doli forca e parë me rreth 43 për qind të votave, ndërsa PDK u rendit e dyta me rreth 21 për qind, LDK e treta me 18 për qind dhe AAK-ja me mbi 7%.
Megjithatë, shifrat zgjedhore nuk e kanë zgjidhur ngërçin politik që ka përcjellë vendin muajt e fundit, pasi asnjëra palë nuk i ka votat e nevojshme për të formuar e vetme institucionet e reja.
“Front Online” ka kontaktuar disa nga akterët e partive politike për të mësuar qëndrimet rreth formimit të qeverisë së re dhe koalicioneve të mundshme mes pozitës dhe opozitës.
Haliti i LVV-së: Opozita mund ta propozojë presidentin, LVV-ja do ta mbështesë
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti ka folur për “Front Online” lidhur me mundësinë e bashkëpunimit me partitë opozitare pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas tij, LVV-ja mbetet e hapur për bashkëpunim edhe pas zgjedhjeve.
“Besoj që vlen ashtu siç ka qenë edhe në mandatin e kaluar, LVV ju ka bërë ftesë e LDK edhe bashkëqeverisje dhe ju ka kërkuar që të propozojnë emër për president por dëshira e tyre ishte të shkojmë në zgjedhje ato nuk prodhuan asnjë rezultat ndryshe”, ka thënë Haliti.
Ai tha se do t’ju ofrojnë partive opozitare mundësinë për të propozuar kandidat për president.
“LVV do të ofrojë mundësinë që partitë opozitare të emra për president dhe ne do të jemi të gatshëm ta mbështesim”, u shpreh Haliti për “Front Online”.
Bashkëqeverisje me LVV-në? Vjen përgjigjja nga PDK-ja
Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar për “Front Online” se është ende herët për të diskutuar zhvillimet dhe skenarët politike pas zgjedhjeve.
E pyetur për mundësitë e bashkëpunimeve politike me Lëvizjen Vetëvendosje, Musliu-Shoshi tha se fillimisht duhet të priten rezultatet e përgjithshme.
“Është herët të bisedojmë le të presim se çka po bëhet pas rezultateve të përgjithshme”,tha shkurt Musliu-Shoshi për “Front Online”.
Alban Zogaj: Pas certifikimit të zgjedhjeve, LDK-ja do t’i bëjë të qarta qëndrimet e saj
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj në një prononcim për “Front Online” tha se partia ende nuk ka marrë vendime pas zgjedhjeve të 7 qershorit për hapat e ardhshëm politikë.
Zogaj tha se fillimisht duhet të përfundojë numërimi i votave dhe më pas certifikimi i rezultateve.
“Ne po presim që të përfundojë numërimi i votave. Pas numërimit vjen certifikimi i zgjedhjeve dhe akoma nuk jemi mbledhur për këto qëndrime, por kur ta mbledhim kryesinë do t’i bëjmë të qarta vendimet tona”,deklaroi ai.
Time Kadrijaj: Qeveria e opozitës mbetet qëndrimi parimor i AAK-së
Ish-deputetja e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj u shpreh për “Front Online” se partia ende nuk ka një qëndrim përfundimtar lidhur me zhvillimet politike pas zgjedhjeve.
Ajo tha se deri më tani partia vazhdon t’u qëndrojë parimeve të saj politike, duke konsideruar të nevojshme formimin e një qeverie nga partitë opozitare.
“Nuk kemi qëndrim për momentin. Po presim rezultatet zgjedhore dhe certifikimin e zgjedhjeve, e më pas bashkë me Ardian Gjinin dhe kryesinë do të marrim një vendim. AAK deri tani ju qëndron parimeve për një qeveri të opozitës kjo është mëse e domodoshme”, tha Kadrijaj për “Front Online”.

